Maj 2020
Kohë të pabesueshme. Në vetëm disa muaj, gati i gjithë njerëzimi u izolua. Brenda shtëpive të tyre. Do të duhet shumë reflektim për të qenë në gjendje të kristalizojmë të gjithë mësimet dhe njohuritë që të gjithë ne i kemi fituar në këto kohë mjaftë të çuditshme. Ndërkohë, kemi dëgjuar për shumë raporte për ringjalljen e natyrës, pasi ne, njerëzit, kemi qenë më të qetë se zakonisht…
Me fuqinë e frikës sonë, në një mjedis armiqësor, jemi të detyruar të qëndrojmë aty ku ne në të vërtet i përkasim – në shtëpi. Po e rizbulojmë lirinë tonë nga lidhjet e jashtme që i kemi perceptuar si pjesë të domosdoshme të ditëve tona. Po e rizbulojmë rehatinë e vendit ku jemi të detyruar të qëndrojmë. Rizbulojmë detyrat tona ndaj atij vendi. Paskemi munguar, shtëpi.
Sa e rëndësishme në këto kohë të brishta është të kujtoni ata që kanë humbur luksin e një vendi të sigurt të quajtur “shtëpi”; miliona refugjatë në kampe afër kufijve, shumë më shumë PZHBV, thjesht në pamundësi që të kthehen në shtëpi, dhe një numër i madh i njerëzve të pastrehë, anë e mban botës, që asnjëherë nuk kanë pasur një ndjenjë të tillë të përkatësisë në një vend. Gjithashtu t’i kujtojmë ata që në momente të tilla ndjehen të braktisur; në fillim të “panikut nga pandemia”, një gazetar nga Graçanica, Kosova qendrore, shkruan:
“Në një kohë kur pothuajse e gjithë bota është në panik për përhapjen e Covid – 19, për të cilin nuk dihet shumë, pyetja ime është: kujt i përkasin serbët nga Kosova qendrore? Kë ta kontaktojnë dhe kë ta dëgjojnë? Në fakt, pyetja e vërtetë është – a interesohet dikush për ta?“
Një ndjenjë e tillë e mos përkatësisë është pasojë e marrëdhënieve armiqësore për një kohë të gjatë në mes të qeverive me të cilat jeta e këtyre njerëzve të zakonshëm ka të bëjë; në Prishtinë, dhe në Beograd. Ky është një tregues i vogël i nevojës për krijimin e marrëdhënieve midis të dyja palëve. Otro mundo es possible; në këto kohë të çuditshme kemi zbuluar që, nëse investojmë pak vullnet dhe kreativitet, është e mundur që të bëjmë shumë gjëra ndryshe, më mirë.
Natyrisht, kjo situatë do të marrë fund, dhe shumë thonë që bota nuk do të jetë më e njëjtë. Ne nuk e dimë se si do të duket, por e dimë se do t’i kthehemi botës së jashtme, dhe nxitimi ynë kaotik në mes të jetës sonë “të brendshme” dhe “të jashtme”, do të vazhdojë. Dhe le të jetë kështu, të tillë jemi ne, njerëzit; kemi nevojë për një vend që ta quajmë shtëpi, por të etur për të eksploruar gjithçka jashtë asaj shtëpie. Por, mbani në mend se vetëm për shkak se ne, njerëzit, nuk po e shqetësojmë atë, natyra po ringjallet… Dhe gjithashtu mbani në mend – ju nuk keni ngecur në shtëpi, ju jeni të sigurt aty. Duroni, edhe disa ditë të tjera…
Abdullah b. FERIZI
për KCR. Maj 2020
– Abdullahu është nga Mitrovica, jeton në Fushë Kosovë dhe për njëzet vitet e fundit është i angazhuar në kontributin e tij për paqe në Kosovë dhe më gjerë. –
Ky publikim është bërë me ndihmen e Zyrës së bashkësisë Evropiane në Kosovë. Mendimet e shprehura në këtë raport janë vetëm nën përgjegjësi të OJQ-së AKTIV dhe anëtarëve të Koalicionit Kosovar për Pajtim dhe nuk mund të merren si mendime të bashkësisë Evropiane.