Sot, përkundër progresit të prekshëm të bërë në stabilizimin e marrëdhënieve etnike dhe bashkëpunimit në nivel politik, Kosova mbetet një shoqëri e ndarë me paragjykime ndëretnike të rrënjosura thellë. Kjo situatë me apo pa qëllim inkurajohet dhe të mbahet, pak a shumë, nga të gjithë akterët në komunitet, ndërsa pajtimi strukturor dhe përpjekjet për të bashkëpunuar janë të kufizuara në iniciativa qytetare apo grupe të vogla të biznesit (p.sh. ndërmarrjet). Ka shumë faktorë që kontribuojnë dhe përforcojnë konfliktet ekzistuese etnike në Kosovë. Ata dallojnë për nga intensiteti dhe ndikimi i tyre në marrëdhëniet etnike.
Ka shumë hulumtime dhe dokumente për studimin e shkaqeve të konflikteve. Megjithatë, jo shumë përpjekje janë bërë për identifikimin e paragjykimeve dhe keqkuptimeve që ngarkojnë marrëdhëniet etnike në Kosovë, e sidomos jo në angazhim për dialog publik që synon dekonstruktimin e tyre. Studimi i paraqitur në këtë dokument tenton pikërisht këtë – të tregojë stereotipet mbizotëruese etnike dhe të nisë një dialog të hapur që çon drejt të kuptuarit të tyre dhe refuzimit për krijimin e perceptimeve etnike.
Hulumtimi është kryer me 527 të anketuar nga Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku, dhe enklavat (Shtërpcë, Gjilan dhe Graçanicë) në njërën anë (gjithsej 233), dhe nga Mitrovica dhe Prishtina (gjithsej 299) në anën tjetër.