Milena P

Multietnicitet përmes institucioneve në Kosovë

Multietniciteti në Kosovë është një nga sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohet e gjithë popullsia e kësaj zone. Shtetësia multikulturore në Kosovë përbëhet, përveç komunitetit shqiptar, i cili përfaqëson shumicën, nga serbët dhe komunitetet e tjera jo-shumicë, të tilla si romë, egjiptianë, ashkali, turq dhe të tjerë. Në një shoqëri të tillë multietnike, është e rëndësishme të rregullohen marrëdhëniet brenda komuniteteve dhe të respektohen të drejtat e komuniteteve jo-shumicë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe ligje të caktuara, kështu që në bazë të parimit shumë demokratik të kësaj shoqërie, ushtrimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve në Kosovë duhet të respektohet në mënyrë të barabartë.

Sfida më e madhe në një shoqëri të tillë është funksionimi i komunitetit shqiptar dhe serb, si dy popuj krejtësisht të ndryshëm, me marrëdhënie të shkatërruara thellë gjatë luftës së mëparshme dhe konflikteve të tjera politike, që ndajnë të njëjtin territor dhe jetojnë, bashkëpunojnë, dhe shpesh varen nga njëri-tjetri. Para së gjithash, diversiteti i tyre pasqyrohet në gjuhë, pastaj në kulturë, zakone dhe histori. Në shikim të parë, nuk duket se kanë ndonjë ngjashmëri, por pikërisht këta dy popuj të ndryshëm i bashkon diçka që përbën jetën e tyre dhe ekzistencën e tyre, dhe ky është i njëjti territor në të cilin jetojnë, të njëjtat qëllime që lidhen me të ardhmen në vendet ku ata jetojnë, dëshira për përparim dhe paqe dhe një jetë më të mirë. Këta dy popuj gjithashtu ndajnë atë nga e cila varet më së shumti ekzistenca e tyre, e kjo është puna, sepse duan të punojnë ose tashmë po punojnë të njëjtat punë, në të njëjtat institucione, dhe ndoshta pjesën më të madhe të ditës e kalojnë së bashku. Në këtë përditshmëri, mungesa e njohurive të gjuhës së këtyre popujve është një nga problemet më të mëdha dhe kushtet më të rëndësishme për një komunikim dhe bashkëpunim të suksesshëm. Popullsia më e re pothuajse nuk e ndien nevojën për njohjen e gjuhëve të komuniteteve, por edhe kulturën e popujve të ndryshëm. Për më tepër, ata shpesh janë armiqësorë ndaj zakoneve, kulturës dhe gjuhës së popujve të ndryshëm. Sidoqoftë, ajo që ka dhënë shpresë për përmirësimin e kësaj situate në Kosovë në vitet e fundit është pikërisht ndarja e punëve të njëjta dhe përmirësimi i aspektit ekonomik të qytetarëve. Pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme që punojnë në të njëjtat punë kanë vetëm një qëllim, dhe ai është të bëjnë punën e tyre sa më mirë për ta mbajtur dhe për t’u paguar, nga çka edhe më së shumti varet cilësia e jetës së tyre. Për ta arritur atë, është e nevojshme që komunikimi dhe bashkëpunimi i tyre të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm, dhe kjo do të thotë njohje me njëri tjetrin. Bashkëpunimi dhe puna e përbashkët i bën ata të afrohen me njëri-tjetrin dhe të njohin më mirë kulturën dhe historinë e popujve të ndryshëm. Nëse nuk do të ndërvepronin me njëri tjetrin, nuk do të ishin në gjendje të realizojnë asgjë nga këto dhe tejkalimi barrierave dhe paragjykimeve që ekzistojnë me vite do ishte i vështirë. Respektimi dhe vlerësimi i ndërsjellë është i nevojshëm për funksionimin normal, por gjithashtu është e nevojshme të krijohet hapësirë e mjaftueshme për të pranuar diversitetin. Prandaj, ndikimi i të gjitha niveleve të qeverisjes është i rëndësishëm, me qëllim të krijimit të një mjedisi të këndshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Integrimi, i cili ndodhi në institucione të caktuara në Kosovë, ndër të cilat gjyqësori është më i rëndësishmi, kontribuoi për të gjitha këto. Shumë të rinjve nga komuniteti serb, duke më përfshirë edhe mua, iu dha mundësia të punojnë ose të bëjnë praktikë në këto institucione, së bashku me kolegët që janë të kombësisë shqiptare. Në fillim, kishte shumë probleme rreth njohjes së gjuhëve dhe komunikimit të ndërsjellë, nuk ishte e mundur të bisedohej pa praninë e një përkthyesi ose kolegëve të tjerë që dinë gjuhën e një kombësie tjetër, por dëshira për të punuar dhe zhvillim personal ishte më e fortë sesa të gjitha pengesat. Duke marrë parasysh që punëtorët në këto institucione janë kryesisht njerëz të moshuar, njohja e gjuhës serbe ose shqipe nga punëtorë të caktuar që kanë qenë aty më parë, e bëri shumë më të lehtë për të rinjtë të njihen me njëri-tjetrin si dhe mundësoi komunikim të ndërsjellë. Kjo është pikërisht ajo që i motivoi të rinjtë të mësojnë më mirë gjuhën e një populli tjetër në punë dhe të njohin më mirë kulturën e tyre. Në fillim, shkruheshin fjalët e nevojshme për të lexuar dhe komunikuar, ndërsa më vonë këto fjalë bashkoheshin në fjali. Si punëtor në sistemin gjyqësor të Kosovës, më duhej ta zotëroja gjuhën shqipe sa më mirë që të bëja punën time në mënyrë më efikase, dhe gjithashtu doja të “thithja” përvojën e të gjithë kolegëve të mi sa më shumë që të ishte e mundur. Puna në një ambient të këndshëm është e nevojshëm për të arritur rezultatet më të mira në punë, dhe kjo do të thotë njohje më të mirë të njëri-tjetrit, përafrim me kulturën dhe zakonet e të dy popujve. Rëndësi të madhe ka edhe ndihmesa në punë për njëri tjetrin e cila mundëson bashkëpunim më të mirë dhe arritje të qëllimeve të dëshiruara. Gjatë viteve të mëparshme të punës së përbashkët, gjatë integrimit, përvojat e shumë njerëzve janë pozitive, ka progres në aspektin gjuhësor, kështu që shumë kolegë të mi kanë mësuar gjuhën dhe nuk kanë më nevojë për ndihmë në komunikim me punëtorët e kombësive të tjera; puna në segmente të caktuara bëhet më shpejt dhe në mënyrë më efikase, madje palët kanë më shumë besim në institucionet e integruara në Kosovë.

Të vetëdijshëm për faktin se ndajmë hapësirë, punojmë dhe kalojmë kohë së bashku, interesohemi më shumë për zakonet dhe kulturën e një populli tjetër, për njohje dhe respekt më të mirë reciprok. Jam dëshmitare e shembujve pozitivë edhe kur bëhet fjalë për festat fetare dhe respektim të dyanshëm të tyre, kultura tani njihet më mirë dhe dallimet pranohen. Përmes punës së përbashkët kemi arritur të gjejmë një mënyrë për të pranuar më mirë njëri-tjetrin dhe për t’i dhënë një mundësi marrëdhënieve tona. Kemi besim t’i drejtohemi njëri-tjetrit për ndihmë përtej jetës në punë, por puna paraqet bazën e marrëdhënies sonë, e cila na ka ndihmuar ta ndërtojmë atë më mirë.

Për shkak të gjithë kësaj, mendoj se puna na dha një mundësi të mirë për t’u takuar dhe nëse ka më shumë mundësi të tilla, shumica do ta ndjekin drejtimin e njëjtë, kështu që përveç përmirësimit të cilësisë së jetës do të ketë një mjedis më të këndshëm për funksionimin dhe shoqërimin reciprok në të ardhmen. Është një shoqëri për të cilën duhet të përpiqemi, sepse vetëm në kushte të tilla është e mundur të organizojmë më mirë jetën tonë, të takojmë njerëzit që jetojnë pranë nesh dhe të punojnë së bashku për të ndihmuar njëri-tjetrin në ndërtimin e një jete më të mirë. Pikërisht, shoh një të ardhme të tillë – përmes hapjes së më shumë mundësive për punësim në një shoqëri multietnike, përfshirë integrimin e institucioneve të caktuara që ndodhi në Kosovë dhe që rezultoi në mundësi të mira, veçanërisht për të rinjtë por edhe qytetarët e moshuar të kësaj shoqërie.

Millena Petkoviq, juriste

Millena Petkoviq u lind më 1 qershor 1992 në Gjilan. Në studime juridike akademike u regjistrua në vitin 2011 në Universitetin e Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë dhe u diplomua në vitin 2016 me një mesatare të lartë. Që nga viti 2017 është aktive në gjyqësorin e integruar në Kosovë, dhe provimin e jurisprudencës në Prishtinë e kaloi në vitin 2019. Tani është e përfshirë në mënyrë aktive në luftën kundër dhunës në familje dhe bashkëpunon me sektorin joqeveritar.

Tags: No tags

Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *