HLCK-Komunikate 1-06.07.2021

Komunikatë: Zoran Vukotiq (Zoran Vukotić) dënohet për herë të dytë për krimet e luftës në Kosovë

Prishtinë, 06.07.2021

Trupi gjykues i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë (i kryesuar nga gjyqtarja Valbona Musliu Selimaj1), në datën 05 korrik të vitit 2021, të akuzuarin Zoran Vukotiq e ka shpallur fajtor për veprën penale dhunim seksual si krim lufte kundër popullatës civile dhe i ka shqiptuar dënim me burgosje prej dhjetë (10) vitesh.

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) rregullisht e ka monitoruar gjykimin kundër të akuzuarit Vukotiq. Në bazë të monitorimit të gjykimit, i cili ka qenë i mbyllur për publikun, FDHK gjen se gjykimi ka qenë i drejt, i paanshëm dhe në afat të arsyeshëm. Aktgjykimi është shpallur pas mbajtjes së shtatë (7) seancave gjyqësore, ku janë dëgjuar shtatë (7) dëshmitarë të propozuar nga prokuroria, në mesin e tyre edhe e dëmtuara D.1.

Trupi gjykues e vërtetoi se i akuzuari Zoran Vukotiq si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, me datën 22 maj të vitit 1999, tek varreza e Vushtrrisë/Vučitrn, në bashkëpunim me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kishin tubuar popullatën civile shqiptare që më parë ishin dëbuar nga vendbanimet e tyre i kishin urdhëruar të ulen në tokë dhe për derisa ishin në atë pozitë, i akuzuari me një mjet-shkop të drurit fillon ti rrahë duke i goditur në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit dhe në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të njësitit të përmendur i ndajnë meshkujt e rinj, i ngarkojnë me kamionë dhe i largojnë nga vendi në drejtim të panjohur, ndërsa gratë, fëmijët dhe pleqtë i detyrojnë të presin në kolonë para një shtëpie dykatëshe, kinse për ti pajisur me kartela të identifikimit dhe me të ardhur rendi tek e dëmtuara D.1 i akuzuari e kishte marr me forcë duke e futur në një dhomë në katin e dytë të asaj shtëpie ku kishte edhe femra të tjera të zhveshura dhe të dhunuara nga disa polic, ku në prezencën e atyre femrave dhe policëve të tjerë i akuzuari e kishte përdhunuar.

Që nga përfundimi i konfliktit të armatosur në Kosovë, nga gjyqësori vendor duke i përfshirë edhe misionet ndërkombëtare janë ngritur katër (4) aktakuza për dhunim si krime lufte kundër popullatës civile, kundër pesë (5) personave. Në tre (3) aktakuza të më hershme të pandehurit janë shpallur të pa fajshëm. Aktakuza e fundit kundër të akuzuarit Zoran Vukotiq është ngritur më 06 mars të vitit 2020 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.2

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.


1 Anëtarët e trupit gjykues, gjyqtarët: Valon Kurtaj dhe Suzana Çerkini
2 Aktakuza u ngrit nga prokurorja speciale, Drita Hajdari.

indeksi_i_stereotipeve_etnike

Indeksi i stereotipeve etnike në Kosovë

17.07.2020

Ky hulumtim është pjesë e projektit të Koalicionit të Kosovës për Pajtim, i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë. Është realizuar nga studentët e Universitetit të Prishtinës dhe kolegët e tyre në veri të Kosovës, nën mentorimin e ekspertëve të OJQ AKTIV. Qëllimi kryesor i këtij hulumtimi është mobilizimi i studentëve, liderëve të rinj në Kosovë për iniciativa që synojnë identifikimin dhe reduktimin e stereotipave etnike.

Këtu mund ta shkarkoni dokumentin:

Kosovo report 2019 ALB SRB ENG cover (1)-page-001

NJOFTIM

10.07.2020

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) ju fton që të merreni pjesë në konferencën online ku do të diskutohet në temën:

“Sfidat në procedimin e krimeve të luftës në Kosovë-cila është rrugëdalja?”

FDHK me datën 13 maj 2020 ka publikuar raportin vjetor për vitin 2019 mbi monitorimin e gjykimeve më të rëndësishme që lidhen me konfliktin e armatosur në Kosovë. Gjatë konferencës do të bëhet prezantimi i shkurtër i raportit dhe rekomandimeve të këtij raporti.

Konferenca do të mbahet online, përmes platformës ZOOM, me datën 14.07.2020, me fillim nga ora 10:30.

Ju lutem gjeni agjendën e konferencës të bashkëngjitur në këtë ftesë.

Ju lutem gjeni linkun për ti bashkëngjitur konferencës: https://zoom.us/j/93560389814

Me respekt,

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë

Abdula 1

Të sigurt. Në shtëpi

Maj 2020

Kohë të pabesueshme. Në vetëm disa muaj, gati i gjithë njerëzimi u izolua. Brenda shtëpive të tyre. Do të duhet shumë reflektim për të qenë në gjendje të kristalizojmë të gjithë mësimet dhe njohuritë që të gjithë ne i kemi fituar në këto kohë mjaftë të çuditshme. Ndërkohë, kemi dëgjuar për shumë raporte për ringjalljen e natyrës, pasi ne, njerëzit, kemi qenë më të qetë se zakonisht…

Me fuqinë e frikës sonë, në një mjedis armiqësor, jemi të detyruar të qëndrojmë aty ku ne në të vërtet i përkasim – në shtëpi. Po e rizbulojmë lirinë tonë nga lidhjet e jashtme që i kemi perceptuar si pjesë të domosdoshme të ditëve tona. Po e rizbulojmë rehatinë e vendit ku jemi të detyruar të qëndrojmë. Rizbulojmë detyrat tona ndaj atij vendi. Paskemi munguar, shtëpi.

Sa e rëndësishme në këto kohë të brishta është të kujtoni ata që kanë humbur luksin e një vendi të sigurt të quajtur “shtëpi”; miliona refugjatë në kampe afër kufijve, shumë më shumë PZHBV, thjesht në pamundësi që të kthehen në shtëpi, dhe një numër i madh i njerëzve të pastrehë, anë e mban botës, që asnjëherë nuk kanë pasur një ndjenjë të tillë të përkatësisë në një vend. Gjithashtu t’i kujtojmë ata që në momente të tilla ndjehen të braktisur; në fillim të “panikut nga pandemia”, një gazetar nga Graçanica, Kosova qendrore, shkruan:

Në një kohë kur pothuajse e gjithë bota është në panik për përhapjen e Covid – 19, për të cilin nuk dihet shumë, pyetja ime është: kujt i përkasin serbët nga Kosova qendrore? Kë ta kontaktojnë dhe kë ta dëgjojnë? Në fakt, pyetja e vërtetë është – a interesohet dikush për ta?

Një ndjenjë e tillë e mos përkatësisë është pasojë e marrëdhënieve armiqësore për një kohë të gjatë në mes të qeverive me të cilat jeta e këtyre njerëzve të zakonshëm ka të bëjë; në Prishtinë, dhe në Beograd. Ky është një tregues i vogël i nevojës për krijimin e marrëdhënieve midis të dyja palëve. Otro mundo es possible; në këto kohë të çuditshme kemi zbuluar që, nëse investojmë pak vullnet dhe kreativitet, është e mundur që të bëjmë shumë gjëra ndryshe, më mirë.

Natyrisht, kjo situatë do të marrë fund, dhe shumë thonë që bota nuk do të jetë më e njëjtë. Ne nuk e dimë se si do të duket, por e dimë se do t’i kthehemi botës së jashtme, dhe nxitimi ynë kaotik në mes të jetës sonë “të brendshme” dhe “të jashtme”, do të vazhdojë. Dhe le të jetë kështu, të tillë jemi ne, njerëzit; kemi nevojë për një vend që ta quajmë shtëpi, por të etur për të eksploruar gjithçka jashtë asaj shtëpie. Por, mbani në mend se vetëm për shkak se ne, njerëzit, nuk po e shqetësojmë atë, natyra po ringjallet… Dhe gjithashtu mbani në mend – ju nuk keni ngecur në shtëpi, ju jeni të sigurt aty. Duroni, edhe disa ditë të tjera…

Abdullah b. FERIZI
për KCR. Maj 2020
Abdullahu është nga Mitrovica, jeton në Fushë Kosovë dhe për njëzet vitet e fundit është i angazhuar në kontributin e tij për paqe në Kosovë dhe më gjerë.

Ky publikim është bërë me ndihmen e Zyrës së bashkësisë Evropiane në Kosovë. Mendimet e shprehura në këtë raport janë vetëm nën përgjegjësi të OJQ-së AKTIV dhe anëtarëve të Koalicionit Kosovar për Pajtim dhe nuk mund të merren si mendime të bashkësisë Evropiane.

7.

Radio Evropa e Lirë – Koalicioni që synon pajtimin në Kosovë

11.07.2019

‘Koalicioni i Kosovës për Pajtim’ quhet iniciativa e përbashkët e lansuar nga disa organizata joqeveritare që si synim kanë pajtimin ndëretnik në Kosovë, marrë parasysh historinë e hidhur të dekadave të fundit dhe konfliktit të viteve 1998-’99 dhe pasojave të tij.

Mbështetur nga Bashkimi Evropian, tri organizata joqeveritare, Fondi për të Drejtën Humanitare, Organizata Joqeveritare Aktiv nga Mitrovica dhe ArtPolis nga Prishtina, kanë lansuar zyrtarisht ‘Koalicionin e Kosovës për Pajtim’.

Hyrja në partneritet e këtyre organizatave po synon të trajtojë dhe kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve etnike në Kosovë, duke ngritur mirëkuptimin dhe pjesëmarrjen e nismave bazë të komunitetit, që kanë për qëllim nxitjen e procesit të pajtimit në Kosovë.

Bekim Blakaj, drejtor i “Fondit për të Drejtën Humanitare”, në Prishtinë tha se këtë herë kanë vendosur që të bashkohen forcat me organizata të ndryshme, për të kontribuuar në arritjen e paqes së qëndrueshme dhe pajtimit në Kosovë. Opinioni do të duhej të jetë më i informuar, nënvizoi Blakaj, duke shtuar se përmes këtij projekti, po synohet që të zbardhet e vërteta.

“Dokumentimi i së kaluarës dhe dokumentimi i humbjeve në njerëz gjatë periudhës së luftës dhe pas luftës, si dhe monitorimi i gjykimeve të krimeve të luftës, duhet të raportohen, pasi mendoj se njerëzit duhet të dinë më shumë për këto gjëra”, tha Blakaj.

Në anën tjetër, Miodrag Miliçeviq, drejtor i organizatës joqeveritare “Aktiv’’ nga Mitrovica, tha se për të gjitha bashkësitë etnike në Kosovës është i rëndësishëm avancimi i kualitetit të jetesës, të drejtat e barabarta dhe respektimi i të gjitha bashkësive. Ai u angazhua për ndërtimin e vlerave, qëllimeve dhe të ardhmes së përbashkët brenda dhe jo jashtë Kosovës.

“Pajtimi është kategori e vetme, më e ndryshme, më e gjerë dhe më e lartë. Kjo është shprehje e vullnetit tonë personal. Mënyra e vetme që ne t’i sjellim njerëzit deri tek ai nivel, është që ne, të gjithë, në anët tona të tregojmë se jemi të gatshëm që të ballafaqohemi me të kaluarën dhe në atë mënyrë ta hapim rrugën kah dialogu i hapur, i cili mund të na udhëheqë më tutje drejt ndërtimit më të mirë të shoqërisë, të cilën, jam i sigurt që e meritojmë të gjithë”.

“Ky është parakushti themelor që shoqëritë në Kosovë ta ndërtojnë veten në përputhje me vlerat qytetare, me të drejtat dhe liritë e secilit individ që jeton këtu”, tha Miliçeviq

Ndërkaq, Zana Hoxha nga organizata “ArtPolis”, tha se adresimi i problemeve ka qenë një aktivitet i vazhdueshëm, duke veçuar shkollën pranverore me vajza nga Kosova e Serbia, ku ato me angazhimin e tyre si aktiviste, kanë punuar për ndërtimin e paqes për vendet e tyre.

“Ky bashkëpunim nuk është vetëm projekt, por është një mision, është një punë të cilën do ta bëjmë në kuadër të strategjive tona, zhvillimit tonë për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, për një Kosovë më të mirë dhe jo të ndarë nëpërmes komuniteteve etnike, por ajo që krijon kushte për gëzimin e të drejtave të të gjithëve përfshirë komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha Hoxha.

Edhe Adriatik Kelmendi, gazetar tha se në aspektin medial, mediat shpeshherë kanë qenë vegël e politikës, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

“Jemi 20 vjet pas luftës në Kosovë. Ne po e trajtojmë këtë temë sikur të kishte ndodhur para një, dy apo pesë vjetësh, dhe kjo tregon për një dështim të madh tonin. Nëse i kthejmë reflektorët nga vetvetja pa ndonjë hezitim mund të them se edhe ne, media, nuk e kemi kryer punën ashtu siç është dashur. Pse ka qenë shpesh më e lehtë të bien në agjendat e politikës”.

“Por, duhet nënvizuar se ka organizata dhe individë, që kanë bërë përpjekje që konfliktet dhe viktima të mos ndodhin, por edhe të bëjnë evidentimin, punësimin, të vërtetat për luftën, qëndruarit pranë familjarëve, monitorimin e gjykimeve, pra është punuar më shumë se nga institucionet që kanë buxhet.“ tha Kelmendi.

Derisa Edis Galushi, nga komuniteti rom, tha se ky komunitet në vazhdimësi është manipuluar nga të dyja palët, si nga ajo kosovare, po ashtu edhe ajo serbe.

Ai potencoi faktin se kur bëhet fjalë për pajtimin, dhe ftohen palët për diskutim, janë zakonisht palët kosovare dhe serbe, duke i përjashtuar komunitetet tjera, e që siç thotë ai, ata kanë qenë të përfshirë me ose pa dashje në procese.

“Secilën herë, jo vetëm në këtë luftë, por edhe në luftëra të tjera në vende të ndryshme, romët janë manipuluar. Janë shfrytëzuar për qëllimet e të tjerëve” tha Galushi.

Edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, që kanë përkrahur formimin e këtij koalicioni, kanë thënë se është e rëndësishme që të merren iniciativa të tilla dhe se Kosova duhet të marrë shembull vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian që e kanë gjetur rrugën drejt pajtimit pas së kaluarës së hidhur.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, më shumë se 13.500 persona konsiderohen të vrarë në konfliktin e viteve 1998-’99. Prej tyre,rreth 11 mijë shqiptarë dhe mbi 2 mijë serbë dhe pjesëtarë të etnive tjera. Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur.

https://www.evropaelire.org/a/koalicioni-pajtimi-ne-kosove/30049728.html

5.

VoA – Kosovë, një koalicion synon pajtimin mes serbëve dhe shqiptarëve

11.07.2019

Në Kosovë, përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut, thanë se pajtimi ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë duhet të ndodhë përmes ndërtimit të një të ardhmeje të përbashkët brenda Kosovës. Këto komente u bënë gjatë fillimit të punës së Koalicionit të Kosovës për Pajtim, nismë përmes së cilës synohet nxitja e procesit të pajtimit ndërmjet komuniteteve në vend. Korrespodenti i Zërit të Amerikës Leonat Shehu përgatiti një kronikë me këtë temë:

https://www.zeriamerikes.com/a/4996337.html

4.

Koha.net – Lansohet fushata që ka për synim pajtimin mes komuniteteve

11.07.2019

Tri organizata janë bërë bashkë për të kontribuar në përmirësimin e marrëdhënieve ndër etnike në Kosovë.

“Koalicioni për Pajtim”, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, dhe organizatat “Aktiv” dhe “ Art Polis”, do të synojë të arrihet paqja e qëndrueshme dhe pajtimi në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, tha se përmes këtij bashkëpunimi po synohet që të zbardhet e vërteta.

Kjo iniciativë është mirëpritur dhe mbështetet nga Bashkimi Evropian.

Zyrtarë të BE-së, të pranishëm në këtë konferencë, kanë thënë se është e rëndësishme që të merren iniciativa të tilla dhe se Kosova duhet të marrë shembull vendet e ndryshme të BE-së që e kanë gjetur rrugën drejt pajtimit pas së kaluarës të hidhur.

Ndërkohë, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, më shumë se 13 mijë persona konsiderohen të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Prej tyre, rreth 11 mijë shqiptarë dhe mbi 2 mijë serbë dhe pjesëtarë të etnive tjera.

https://www.koha.net/arberi/173578/lansohet-fushata-qe-ka-per-synim-pajtimin-mes-komuniteteve

3.

Klan Kosova- Lansohet Koalicioni i Kosovës për Pajtim

11.07.2019

Është lansuar zyrtarisht Koalicioni i Kosovës për Pajtim. Me këtë rast hynë në partneritet tre organizata: Fondi për të Drejtën Humanitare, Aktiv nga Mitrovica dhe Art Polis nga Prishtina.

Ky koalicion do të kërkojë që të trajtojë dhe kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve etnike në Kosovë duke kërkuar dhe ngritur mirëkuptimin dhe pjesëmarrjen e nismave që kanë për qëllim nxitjen e procesit të pajtimit në Kosovë.

Zyrtarë të bashkimit evropian që kanë përkrahur formimin e këtij koalicioni kanë thënë se është e rëndësishme që të merren iniciativa të tilla dhe se Kosova duhet të merr shembull vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian që e kanë gjetur rrugën drejt pajtimit pas së kaluarës së hidhur, njofton Klan Kosova.

2.

Radio K4- LANSIMI ZYRTAR I KOALICIONIT TË KOSOVËS PËR PAJTIM BËHET NESËR

10.07.2019

Koalicioni i Kosovës për Pajtim (KKP) fton të interesuarit që nesër (11 korrik), në “Shtëpinë e Evropës” në Prishtinë, nga ora 10:00, të marrin pjesë në lansimin e Koalicionit të Kosovës për Pajtim.

Fjala hyrëse do të filloj me Stergios Tragoudas nga Zyra e Bashkimit Evropian, për të vazhduar me Lansimin zyrtar të  Koalicionit të Kosovës për Pajtim. Hyrja në partneritet të  Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH), AKTIV dhe Artpolis; kërkojnë të trajtojnë dhe kontribuojnë në përmirësimin e marrëdhënieve etnike në Kosovë, duke ngritur mirëkuptimin dhe pjesëmarrjen e nismave bazë të komunitetit, që kanë për qëllim nxitjen e procesit të pajtimit në Kosovë. Përfaqësuesit e Koalicionit të Kosovës për Pajtim janë: drejtori ekzekutiv i FDH Kosovë, Bekim Blakaj, themeluesja dhe drejtoresha ekzekutive në Artpolis, Zana Hoxha Krasniqi dhe drejtori ekzekutiv i OJQ-së AKTIV, Miodrag Milićević, kurse panelistë të këtij aktiviteti do të jenë, Adriatik Kelmendi, Alban Muja, Besa Luci, Darko Dimitrijević, Edis Galushi.
Nga ora ora 12:00  deri në ora 13:00, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shtrojnë pyetje të ndryshme e më pas të marrin pjesë edhe në një koktej e rasti.

1.1

KultPlus – ‘Me liri kundër marres’ është motoja e festivalit FemArt i cili fillon se shpejti

Qershor 2019 (Artpolis)

Për herë të shtatë,  Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis organizon festivalin FemArt – Festivali Rajonal për Artiste, që do të mbahet në Prishtinë gjatë datave 10-16 Qershor, 2019 (7 ditë).

Moto e festivalit këtë vit është ‘Me Liri kundër Marres’ (ang: Freedom vs Shame) duke i inkurajuar gratë të marrin pronësinë mbi jetët e tyre dhe në vendim-marrje, duke promovuar një jetë pa paragjykime e gjykime. Duke qenë të gjykuara dhe të turpëruara nga shoqëria patriarkale në vazhdimësi, moto e festivalit FemArt ka për qëllim të rrisë vetëdijen dhe të fuqizojë gratë pa marrë parasysh përkatësinë etnike, sociale, raciale apo preferencave seksuale.

Përveç rreth 200 artisteve dhe aktivisteve nga Kosova, Rajoni, Evropa, Amerika, Azia dhe Afrika, festivali do t’i angazhojë 30 vullnetarë/e, të rinj/reja nga të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë që ta ngritë pjesëmarrjen e rinisë në çështjen e forcimit të rolit të gruas në Kosovë dhe rajon dhe ndarjen e përvojave.

Festivali Femart është pjesë e iniciativës së 20 aktiviteteve për përkujtimin e 20 vjetorit të çlirimit të Prishtinës, organizuar në bashkëpunim me komunën e Prishtinës.

Grand Hapja e Festivalit FemArt 2019, do të bëhet në objektin shumë të vlerësuar para luftës në Kosovë, ku krerët më të mëdhenj të qeverisë së asaj kohe kanë gjetë shërbimin dhe akomodimin e klasit botëror, ndërsa tani i lënë pas dore, i shkatërruar, i përfolur si dhe bartës i historisë së trishtuar, i krimeve gjatë konfliktit në Kosovë, në Hotel Grand. Jo rastësisht festivali do të hapet në po këtë hotel, përmes ekspozitës shumë të veçantë të artistes së shquar, pjesëmarrëse në Bienalja e Venecias 2018 – Eliza Hoxha, të titulluar “Bëhu fytyra ime” dhe më pas e përcjellur me performancën “E asaj…” nga artistet Agnes Nokshiqi dhe Mjellma Goranci.

FemArt ka sjellë disa performanca dhe shfaqje teatrale që do të organizohen në lokacione të ndryshme, në Prishtinë. Në Teatrin Oda prezantohet Drag Mbretëreshat “Queendom” nga Hungaria, një performancë interseksionale e performancave bashkëkohore, teatrit fizik dhe performancave “drag”; Në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të shfaqet performanca e një trupe artistësh “Etymos”, nga Italia, me një koreografi të veçantë, prodhim i kompanisë Motus; Regjisorja Arlinda Morina, prezanton performancën premierë “Kanuni i gruas”, produksion i Artpolis-it dhe performuar nga artistet profesioniste të Kosovës, në Bibliotekën Kombëtare; Ndërkaq performanca artistike e Uresa Ahmetit e quajtur “Vagina viktimë” përcjellur me Slam Poetry do të luhet në Teatrin ODA; Shfaqja teatrale e shumë pritur “Le Grand Cahier” nga Japonia, do të jepet në teatrin ODA, ku tema zhvillohet mbi binjakët të evakuar në shtëpinë e gjyshes gjatë luftës, e cila i abozon duke i përdorur si fuqi punëtore. Si i mbijetojnë makthit dhe si do të veprojnë kur ta takojnë babain e tyre?, do ta kuptojmë pasi ta përcjellim shfaqjen.

Nuk do të mungojë mbrëmja artistike tashmë tradicionale “Poezi për Fuqi” që do të mbahet në “Menza Ramiz Sadiku” me emra të shquar të poezisë feministe, autore shqiptare të njohura nga Greqia, Franca, Maqedonia Veriore, Shqipëria e Kosova duke u shoqëruar me muzikë të zgjedhur. Ndërkaq edhe Murali, poashtu tradicional në kuadër të festivalit, do të inaugurohet në Qendrën e Studentëve, me temën #Epathyer në bashkëpunim me MuralFest nga Ferizaji, që për temë do të ketë fuqizimin dhe promovimin e të Drejtave të Grave.   

Një ekspozitë shitëse e titulluar “Zambaku i Luginës”, e kuruar nga Njomëza Luci, do të organizohet në Teatrin Oda, ku do të prezantohen punimet e viktimave të trafikimit dhe viktimave potenciale të trafikimit, e gjithë kjo nën përcjelljen e muzikës të ekzekutuar nga Vala Mulliqi. Fjalë hyrëse do të ketë nga përfaqësues të BE-së.

Punëtoritë do të jenë të shumta dhe të ndryshme, nisur nga bendi portugez “Yemadas” që do të japin punëtori në rrugë “Bëhu ritmi”, për vallëzime dhe këndim afrikan, në sheshin e Prishtinës dhe në Fushë Kosovë; në Teatrin Oda do të mbahet punëtoria e dizajnit “Krijimi i posterave feminist” të udhëhequr nga Blerta Hoçia, Shqipëri dhe Silvia Basso, Itali; Do të pasojë pastaj prezantim nga Silvia Basso “Bisedë me Silvia Basso: Ilustrimi, gjuha dhe Inovacioni”; Masterklasë me Rina Zhubin në po ashtu në Teatrin Oda “Gratë në Wikipedia Shqip” + edit – a – thon, ku pjesëmarrëset do të informohen dhe trajnohen rreth redaktimit për të vendosur dhe përditësuar të dhëna në Wikipedia Shqip, me tema për gratë; dhe në ditën e pestë pjesëmarrësit/et e festivalit do të shkojnë në Etno fshati Kukaj, ku përmes “Kyçu + Angazhohu + Frymëzohu” do të diskutojnë, relaksohen dhe njëkohësisht të inspirohen me shkëmbimin e përvojave.

Edicioni i 7-të i festivalit FemArt do të përmbajë disa panele diskutimi me temat nga më të ndryshmet, si:  “Gratë artiste në vendimmarrje”; “Promovueset e reja të paqes nga rajoni ” e po ashtu edhe në kuadër të promovimit të librit të autores Vjollca Krasniqi, do të hapet paneli “Dialogu ndërgjenerata i aktivizmit feminist në ish-Jugosllavi”;  Ndërkaq konferenca me titull: #Epathyer / Vendi i gabuar, koha e gabuar – 20 vjet pas i përfshin dy panele që trajtojnë temën e të mbijetuarave të dhunës seksuale – 20 vjet pas, si dhe rolin e shtetit në njohjen dhe trajtimin e tyre. Konferenca e dytë #Epathyer/Shfuqizimi i marrës, do të trajtojë dhe prezantojë promovimin e shëndetit seksual dhe riprodhues të grave. Disa nga panelistet që do të kontribuojnë në diskutime janë: Feride Rushiti, Vjollca Krasniqi, Vjosa Berisha, Antigona Dajakaj, Besa Luzha, Dijana Milošević, Ilirjana Banjska, Arijana Qosaj Mustafa, Arta Bunjaku Agani, etj.

FemArt do të jetë i pasur me koncerte të larmishme ku gjeneratat e ndryshme do ta gjejnë veten dhe ti shijojnë mbrëmjet, si: në Teatrin ODA, nën tingujt e bukur të muzikës së këngëtares së talentuar LUCIBELA, që vjen nga Cabo-Verdean-e, të São Nicolau, (një nga ishujt Barlavento), e cila me ritmin dhe energjinë e pashterur do të këndojë në “Nderim të Cesaria Evora-së”; në natën e tretë të festivalit do të vallëzohet me tingujt hip-hop të formës alternative & techno, të performur nga artistja amerikane LiKWUiD, e paraprirë “warmup” nga  LILAC ndërsa Gërmia Finale do të përmbyllë edicionin e shtatë të festivalit FemArt,  me një koncert madhështor, në Amfiteatrin në Gërmi, ku për fillim ‘warmup’ do të performojnë Evolution Dance,më pastaj Marsela Çibukaj & Vitmar Basha do të performojnë këngët më të reja nga albumi i tyre dhe në fund mysafirët specialë, bendi “Yemadas” nga Portugalia.

Donatorët e festivalit FemArt janë: Bashkimi Europian, Kvinna till Kvinna, Austrian Development Cooperation, UNFPA,  Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, UNWOMEN, Cfd, Unë e Du Kosovën, IPKO Foundation, Koalicioni K10, Hotel International Prishtina.

Përkrahësit Institucional dhe medial: Biblioteka Kombëtare e Kosovës- “Pjetër Bogdani”, Teatri Dodona, Muzeu i Kosovës, Teatri Oda, KultPlus./KultPlus.com