Darko

Themelet e procesit të pajtimit duhet të ndërtohen në mes të komuniteteve lokale

28.04.2020

Darko Dimitrijeviq është kryeredaktori i radios “Gorazhdevac”. Jeton dhe vepron në po këtë vend me të njëjtin emër, afër Pejës. Ai tash një kohë të gjatë është gazetar, aktivist i OJQ-ve dhe aktivist për të drejtat e njeriut. Gjatë karrierës së tij, ishte kryetar i Shoqatës së Mediave të Kosovës dhe më pas kryesues i Këshillit Konsultativ për Komunitete. Ai ka fituar disa çmime prestigjioze të gazetarisë në Serbi.


Atë mëngjes Bjeshkët e Nemuna u ndriçuan me rrezet e para të diellit. Gjatë dy dekadave të fundit kam punuar në shumë programe dhe aktivitete, mirëpo kurrë nuk kam qenë aq i ngazëllyer sa atë mëngjes. Derisa po pija kafen e parë të mëngjesit dhe mendoja për ditën në vijim, bashkëshortja dhe vajzat e mia më njoftuan se ishin gati për t’u nisur. Ngazëllimi është i madh, hera e parë që shkoj me fëmijët e mi në një ekskursion ndëretnik. Këtë herë, nuk do të shkojmë me makinë, por me autobus.  Fqinjët tanë arritën me fëmijë. Edhe ata donin të ishin pjesë e këtij ekskursioni të pazakontë. Në qendër të Gorazhdecit hipëm në autobus, shikimet e udhëtarëve që kanë ardhur tashmë nga fshati fqinj janë kurioze dhe të drejtuara drejt nesh. Me një tundje koke dhe buzëqeshje, përshëndetëm njëri-tjetrin…

Pas një vozitje të shkurtër, arritëm para muzeut të qytetit në Pejë, ku ende ngurojmë të njoftohemi mirëpo me grupin e përbashkët vizituam muzeun. Eksponatet në muze janë monoetnike dhe pasqyrojnë vetëm trashëgiminë e komunitetit shumicë, kështu që nuk kishte shumë tema për dialog. Në Manastirin e Deçanit na priti një kuratori cili para së gjithash, pjesës shqiptare të grupit ia tregoi historinë e manastirit, ku më pas vazhduam rrugën për në Prizren. Kemi gjithë ditën para nesh. Pasi vizituam monumentet fetare dhe historike dhe të gatshëm për të shkuar për drekë, u ulëm jo larg urës së gurit për të përmbledhur përshtypjet dhe për t’u njohur më mirë. Tashmë gjatë drekës ishim përzier dhe biseduam për tema të ndryshme. Punëtorët e arsimit, nënat me fëmijë dhe të rinjtë që ishin pjesë e këtij grupi gjetën tema të përbashkëta.

Pas një dite dinamike dhe njohjesh të reja, autobusi u nis për në Pejë. Pasagjerët nuk janë më aq të qetë. Kishte shaka dhe të qeshura në pjesën e përparme ndërsa në pjesën e pasme në mesin e të rinjve dëgjoheshin hitet e huaja.

Duke përmbledhur përshtypjet, mendimet enden përsëri në vitet e pas luftës. Atëherë kur pa një ndërmjetësim të gjatë dhe të vështirë diçka e tillë ishte pothuajse e paimagjinueshme.

Menjëherë pas luftës, Fabricio, një italian, me organizatën e tij erdhi në Gorazhdec dhe filloi të punojë për pajtimin në mes të serbëve dhe shqiptarëve. Gjatë asaj periudhe, vetëm dikush me një përvojë të gjerë mund të bënte një gjë të tillë.

Shpesh, atëherë, ne si 20-vjeçar kalonim kohën me Fabricion dhe kolegët e tij. Shoqëroheshim deri në orët e vona me pije dhe kitarë, e gjatë ditës me skarë. Shokët tanë të rinj italianë kishin grup të njëjtë edhe në qytet. Rreth dhjetë prej tyre ishin nga fshatrat përreth, por edhe nga qyteti. Në atë kohë, ishin të paktë ata që ishin të gatshëm të takonin dikë që i përkiste një kombi tjetër. Vetë rrethi, i cili menjëherë do t’i jepte epitetin e tradhtarëve, kishte një ndikim të madh.

Fabricio arriti disi të na bashkojë. Ai arriti ta dëgjojmë njëri-tjetrin. Të nisemi nga vetvetja, të përballemi me njëri tjetrin dhe me vetveten. Për disa vite me radhë, çdo javë mbajtëm grupe të fokusit për të folur për të kaluarën dhe atë që mbijetuam si fëmijë gjatë luftës. Disa nga këto “Rrëfime” nuk ishin të lehta për t’u dëgjuar, por ato na afruan. Filluam ta vlerësojmë dhe respektojmë njëri-tjetrin.

U bëmë miq të cilët së bashku shkojnë për piknik dhe kalojnë kohën së bashku. Sot, të gjithë pjesëtarët e kësaj historie janë personalitete që kanë arritur diçka, prindër… Të gjithë mësuan mësimin më të rëndësishëm në jetë “të vlerësojnë atë që kanë” dhe të respektojnë të tjerët.

Fabricio u largua nga Kosova kohë më parë. Një autobus që bartë një grup të ri njëzet vite më vonë është një nga të paktët me pasagjerë të tillë të larmishëm që janë nisur diku me një qëllim të qartë.

Duke u larguar nga Prizreni mendoja: a do të kenë fëmijët e mi, kur të rriten edhe pak, mundësinë të takojnë një “Fabricio” i cili do t’i mësojë ata të vlerësojnë atë që kanë dhe respektojnë të tjerët dhe të njihen me rrethin në të cilin jetojnë.

Optimizmi më tradhton, nuk mendoj se ata do të kenë një mundësi të tillë sepse rrethanat në këtë drejtim janë shumë më të vështira se 18 vite më parë, ku në këtë drejtim pothuajse asgjë nuk po ndodh në nivelin lokal. E gjitha është fokusuar në iniciativat e institucioneve qendrore të Kosovës dhe politikanëve, që në këtë rast kanë të vetmin motiv mbledhjen e poenave politik.

Disa qytete, të tilla si Gjakova, janë akoma edhe sot të ndaluar për serbët, si edhe fshatrat si fshati Mushtishtë nuk bëjnë përjashtim.

Përveç dialogut, pajtimi është një nga fjalët më të kushtueshme sot në Kosovë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Shpesh, me “pajtimin” tregtohet në aspektin politik. Shpesh, me “pajtimin” qeveriset dhe manipulohet. Është një fjalë që shumë shpesh është e zëshme e që duhet të jetë e pazëshme dhe ndonjëherë, larg publikut nëse temat janë të ndjeshme dhe lehtë të manipulueshme. Përmes kontekstit të pajtimit, prolongohet tema “Përballja me të kaluarën”, e cila përmendet në këto zona tona për tetë vitet e fundit. Zyra e Presidentit të Kosovës ka themeluar një Komision për të Vërtetën dhe Pajtimin, i cili përveç sa më sipër, ka filluar punën në tre drejtime. Grupet punuese për “E drejta për të vërtetën, “E drejta për drejtësi”, “E drejta për kompensim” dhe grupi punues “për të eleminuar dhe parandaluar përsëritjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut”.

Duke i përcjellë lajmet mbi këtë temë dhe duke marrë parasysh të gjitha këto fakte, secili njeri do të pyes veten nëse kjo është e mjaftueshme? A jemi gati të “paguajmë” biletën e rrugës së pajtimit? Çdo proces ndërtohet nga themeli, po ashtu edhe pajtimi, i cili duhet të ndërtohet në nivel lokal. Rruga që çon nga autoritetet qendrore në Prishtinë drejt institucioneve lokale është një rrugë në të cilën pothuajse me siguri mund të pësojmë një “aksident”, për shkak të cilit përkundër investimeve të mëdha nuk do të arrijmë në destinacionin tonë. Liderët e tanishëm politikë, për të marrë sa më shumë vota, e përdorin nacionalizmin, patriotizmin kombëtar dhe shpesh shovinizmin, gjë që është në kundërshtim të madh me procesin e pajtimit. Pajtimi përmendet në mënyrë deklarative, ndërsa në rrethet e mbyllura partiake në të shumtën e rasteve gjithçka keq e më keq thuhet për palën tjetër.

Kështu që të punosh me njerëz të thjeshtë në nivel lokal është rruga e vetme e sigurt dhe pa dhimbje për një proces të pajtimit të suksesshëm. Një ekskursion në të cilin kam marrë pjesë së fundmi me fëmijët e mi, por edhe kujtimi për kohën e kaluar e dëshmojnë qartë këtë. Themelet e një procesi të tillë nuk mund të jenë të shëndosha nëse ato ndërtohen në nivel qendror. Institucionet qendrore duhet të jenë një ndërmjetës dhe promovues i procesit në mes të komuniteteve lokale. Fokus grupet duhet të organizohen në të gjitha sferat e shoqërisë siç janë liderët lokalë, viktimat e luftës, bujqit, mësimdhënësit dhe  profesionistët e kujdesit shëndetësor…

Për këtë proces është e nevojshme të ndërtohen themelet në nivel lokal, midis komuniteteve. Procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës, me grupe të fokusit ku marrin pjesë profile të ndryshme të shoqërisë. Ndërmjetësit duhet të jenë njerëz që kanë përvojë dhe njohuri të gjerë në këtë fushë. Pa këtë model dhe drejtimin e procesit të pajtimit, për të cilin aktualisht nuk ka gatishmëri, ne do të mbetemi për një kohë të gjatë skllevër të pajtimit deklarativ dhe skllevër të politikës.

Darko Dimitrijeviq

Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e autorit, dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

2020-04-15-1

TV diskutim: Dogovor?! Çka nëse gratë kanë më shumë fuqi?

05.03.2020

Në emisionin Dogovor?! “Šta bi se desilo da žene imaju više moći?” (Çka nëse gratë kanë më shumë fuqi?) të RTV Kim, Çagllavica  biseda rreth barazisë gjinore, stereotipeve, pajtimit dhe shumë diskutime tjera me rastin e 8 marsit, Ditës së Gruas.

“Artpolis, organizatë që merret me të drejtat e grave, përveç asaj që jemi zëri i grave, për të gjitha problemet që i përkasin të drejtave njerëzore, ne kemi qasje feministe të cilat i realizojmë përmes aktiviteteve artistike”, thot regjisorja Zana Hoxha, drejtoreshë e “FemArt” dhe “Artpolis”.

79385078_163565685021172_485533902350319616_o

Insajderi-“TRY”,shfaqja që paraqet preokupimin e të rinjve për punësim në vend

14.02.2020

Në ditët e sotme çështja dhe preokupimi kryesor i qytetarëve e sidomos i të rinjve/rejave është punësimi. E pikërisht për këtë, ditë më parë u dha një shfaqje e cila prek këtë temë e përfshin të rinj e të reja në të.

Me regji të Branislav Stankovic,  shfaqja “Try”, u mirëprit në Mitrovicën e Veriut,  pikërisht në Civic Energy Center – CEC.

Në këtë shfaqje në mënyrë të mrekullueshme është e paraqitur ballafaqimi i të rinjve me probleme të ndryshme gjatë aplikimit për punësim si dhe mënyra se si trajtohen nga personat që janë në pozita kyçe. Sipas regjisorit Branislav Stankovic, kjo temë u zhvillua me humor dhe shumë të qeshura nga publiku në sallë. Po assesi nuk kishte se si t’i mungonte në fund një diskutim i hapur me audiencën dhe personazhet.

Krejt kjo punë e madhe vjen falë organizatës Artpolis, e cila gjatë vitit 2019-të, numëron shumë shfaqje, forum teatër, debate, punëtori, e gjithçka tjetër, që mundëson involvimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe jo vetëm. Po ashtu, theks i veçantë është diskriminimi, i cili ishte fjala kryesore në këtë shfaqje.

Branislavi Stankovic, u shpreh shumë i lumtur që realizoi edhe një bashkëpunim me Artpolisin, ani pse tregoi që punon një kohë të gjatë me këtë organizatë.

“Jemi munduar të sjellim një shfaqje interesante dhe me një mesazh të fortë. Kjo është përcjellë me të qeshura nga publiku që edhe neve na kanë bërë të ndihemi mirë. Unë kam disa vite që punoj me Artpolisin, dhe jam shumë i lumtur për këtë”, është shprehur ai.

Ndërsa njëri nga aktorë e kësaj shfaqje, që kishte rolin e drejtorit të kompanisë, Stefan , tha se kanë punuar që të sjellin diçka të bukur. Ai tregoi për rolin e tij, dhe për punën tashmë 5-6 vjeçare që e bënë me Artpolisin.

“Unë kam pasur rolin e drejtorit të kompanisë, ku i kam përzgjedhur punëtorët e duhur për pozitat që nevojiteshin në firmë, përmes aktrimit ne prezantuam disa shembuj të diskriminimit”, u shpreh Stefan.

Branislav dhe Stefan e theksuan se kjo nuk është hera e parë që bashkëpunojnë me Artpolis, ndërsa këta të fundit e vlerësojnë shumë bashkëpunimin me ta dhe me gjithë të tjerët.

“Branislav dhe Stefan bashkëpunojnë me Artpolis prej më shumë 3 vite përmes trajnimeve për teatër, shfaqjeve me të rinj dhe shfaqjeve profesionale. Duke pas parasysh situatën në veri dhe tensionet politike të kohë pas kohëshme, ne për dallim si Artpolis kemi kontakte të mirëfillta profesionale, aktivizimi dhe miqësore me te rinj dhe artistët serb e shqiptarë në veri të Mitrovicës”, u shprehën nga Artpolis.

Nga kjo organizatë treguan po ashtu edhe për pritjen e publikut ndërsa pohuan se të pranishëm kanë qenë të rinj dhe të reja të komuniteteve shqiptare, serb, romë dhe ashkali.

E sa i përket vullnetit të kësaj organizate për të bashkëpunuar me komunitete të ndryshme, thanë se pavarësisht situatës në Kosovë ata si komunitet i aktivistëve dhe artistëve mbajnë kontakte gjatë gjithë vitit, për shumë vite me radhë, andaj bashkëpunimi i tyre me raste sfidues është çdo herë produktiv.

“Përfshirja e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë është pjesë e misionit tonë dhe kulturë e integruar e organizatës dhe stafit të Artpolis, e kjo falë angazhimit të përditshëm për promovimin e të drejtave të njeriut përmes aktiviteteve të edukimit jo-formal dhe artistik”, përfunduan deklaratën e tyre nga organizata Artpolis.

Shfaqja “Try”  implementohet nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet në kuadër të Koalicionit të Kosovës për Pajtim dhe përkrahet nga Bashkimi Evropian në Kosovë, përmes projektit “Transformimi i perceptimeve konfliktuale përmes rritjes së angazhimit qytetar dhe komunitar në Kosovë”.

auto_74344707_150669096310831_4749148224852328448_o-1-730x4401575464314

Zëri-Shkolla Pranverore Feministe bashkon sërish gratë e reja nga Kosova dhe Serbia

04.12.2019

Me super ligjërata nga Vjollca Krasniqi, Jeta Krasniqi, Elvana Shala, Valdete Idrizi, BoydMckechnie, Luljeta Demolli, Zana Hoxha dhe Learta Hollaj, u mbajt pjesa e dytë e Shkollës Pranverore Feministe, në Prishtinë nga data 5 deri më 8 nëntor 2019. “Gratë e reja ndërtojnë paqe”, është projekti që bëri bashkë këto gra. Në prill në Zlatibor e në tetor në Prishtinë, Shkolla Pranverore Feministe, trajtoi tema si dhunën seksuale, ballafaqimi me të kaluarën më anë te feminizmit, aktivizmi i grave dhe ndikimi i tyre në shoqëri.

Interesimi i tyre njësojë sikurse pjesën e parë ishte mjaft i madh. Ato përveç që ishin dëgjuese të mira ishin edhe mjaft aktive me pyetje e diskutime. Ligjërueset, përveç ligjëratave që ua mbanin, ato edhe i angazhonin këto gra me aktivitete të ndryshme e ushtrime. Kështu, gjithçka ishte më e lehtë.

E në këtë rast, pas takimit të parë që këto gra patën në Zlatibor, gratë që vinin nga Serbia në Kosovë, ishte thjeshtë sikur të vinin tek ndonjë shoqe, pasi që, ato e kanë mbajtur miqësinë edhe nëpërmjet rrjeteve sociale, gjë që e bënë edhe më të rëndësishme këtë shkollë.
 

Përveç kësaj, gratë nga Serbia, patën rastin të vizitonin kryeqytetin. Ato ishin mjaft të interesuara që të njihen me vendet më të mira e turistike që ofron Prishtina. Për shumicën prej tyre ishte hera e parë që ishin këtu. Kjo e bënë edhe më të bukur qëllimin e kësaj shkolle, duke qenë se, ndërron ideologjinë e krijuar në aspektin jo të mirë, për Kosovën, e gjithashtu edhe për gratë kosovare që ishin para disa muajsh në Zlatibor.

Nuk kishte rëndësi më nacionaliteti, ajo që po i fuqizon këto gra është nevoja për të qenë bashkë duke u bërë kështu zë edhe më i fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të tyre.

Shkolla Pranverore Feministe, po krijojnë urën se si të njihen kulturat e të dy vendeve më mirë. Këtë e tha edhe pjesëmarrësja nga Beogradi Andjela Djokic. 

“Kjo është hera ime e parë në Kosovë dhe është shumë mirë të shohë gjëra këndej dhe të jesh në Prishtinë.Mendoj që shkolla po shkon shumë mirë, ne po bashkëpunojmë për gjëra të ndryshme këtu, po krijojmë ura se si t’i njohim kulturat tona më mirë, si ta njohim njëra tjetrën më shumë dhe po ashtu po dëgjojmë gjuhët amtare të të dyja vendeve. Unë dua të mësoj shqipen dhe po e shoh se sa mikëpritës janë njerëzit këtu. Unë dua të mësoj për historinë e Kosovës, kulturën e gjithçka tjetër. Kemi folur për pozitën e gruas këtu, të drejtat e tyre, e më e rëndësishmja për dhunimet gjatë luftës dhe çfarë kanë bërë organizatat joqeveritare për to”, tha ndër të tjera Djokic.

Kaltrina Shala nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, tregoi detaje për Shkollën Pranverore Feministe. Ajo theksoi se kësaj here, gratë janë shumë aktive me pyetje, duke treguar se ato duan të mësojnë më shumë se çfarë po ndodhë në Kosovë me këtë çështje.

“Për shumicën nga to është hera e parë që kanë ardhur në Kosovë dhe e kanë një lloj gëzimi që kanë pasur mundësi të vijnë në Kosovë. Janë shumë aktive në ligjërata dhe me pyetje për ta ditur se çfarë po ndodhë në Kosovë. Po ashtu edhe për dhunimet seksuale kanë mësuar shumë gjatë këtyre ditëve dhe po shihet që barrierat nacionale nuk po ekzistojnë. Është diskutuar për temat si është ajo e dhunës seksuale gjatë luftës, ballafaqimi me të kaluarën sipas perspektives feministe, aktivizmi i grave dhe ndikimi në shoqërinë tonë, si dhe krijimi i lëvizjes feministe në ish-Jugosllavi”, u shpreh Shala. 

Ky është viti i katërt që organizohet FSS apo Shkolla Pranverore Feministe, e cila është njëmundësiunike për t’i trajtuar disa çështje të ndjeshme duke i bashkuargratë e reja nga Kosova dhe Serbia, në kuadër të Koalicionit Kosovar për Pajtim.

Ky projekt implementohet në bashkëpunim me Artpolis-Qendra për Art dhe Komunitet dhe Alternativni Centarza Devojke ndërsa përkrahet nga Unioni Evropian në Kosovë dhe Kvinna till Kvinna.

https://zeri.info/kultura/310034/shkolla-pranverore-feministe-bashkon-serish-grate-e-reja-nga-kosova-dhe-serbia/?fbclid=IwAR1mBNXwMNZYB0DgIkZZ_GMd7vBme_5HyBHJ6EMvElDdhtmfUigDrmPv57o

70914897_128091101901964_3589214687918555136_o

Insajderi-Teatri – urëlidhëse e nacionaliteteve që jetojnë në Kosovë

01.11.2019

Nën monitorimin e trajnerëve Zana Hoxha dhe Branislav Stanković, që nga 20 e deri më 22 shtator, në qytetin e bukur të Prizrenit 16 pjesëmarrës të komuniteteve shqiptar, serb e ashkali në Kosovë.Djem e vajza të reja u bënë pjesë e ushtrimeve e shfaqjeve të ndryshme teatrale që erdhën nëpërmjet trajnimit “Edukimi i Bazuar në Teatër me bashkëmoshatarë/e”. Ky trajnim ka përfshirë edhe ushtrime e tema tjera përtej artit, si toleranca, diversiteti kulturorë e bashkëpunimi ndëretnik.

Duke u nis nga direktivat që ua dhanë trajnerët, si teknikat teatrale, improvizimin, krijimin e skenave të shkurtra, ushtrimet mbi frymëmarrjen, ndjekjen e ritmit, përmirësimin e  koncentrimit, analizat, e shumë e shumë gjëra të tjera, tërinjtë e komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë, krijuan vetë shfaqje teatrale, me theks tëveçantë jetën sociale në vend.

“Papunësia”,  ishte shfaqja që erdhi nën bashkimin e dy të rinjve shqiptarë dhe një vajze serbe. Një lojë interesante nga këta tre të rinj, krijoi situata interesante në sallë. Sa komike aq edhe të dhimbshme ishin situatat që u ndodhnin tre protagonistëve të shfaqjes të cilët vetë edhe e kanë shkruar tekstin e po ashtu edhe e kanë bërë regjinë.

Pas përfundimit të shfaqjes, trajnerët ishin aty ku kritikuan si për të mirë ashtu edhe për përmirësime të mëtejshme grupin që mori duartrokitje nga të pranishmit e tjerë.

Pas përfundimit të prezantimit të pjesëve teatrale, aplikantët u shprehën të hapur të flasin në lidhje me përvojën e tyre në këtë trajnim treditorë, i cili vjen nëpërmjet organizatës Artpolis.

“Është hera e parë për mua që po marr pjesë në një shkollë të tillë dhe edhe pse kam përvojë në aktrim kjo ështëdiçka e re për mua. Çka kam parë deri tash gjithçka është në rregull e sa i përket shoqërisëështëdiçka më shumë se që e kam pritë”, ka thënë Marta Djuric nga Mitrovica e Veriut, e cila mendon që ka potencial që të bëhet aktore në të ardhmen.

Valëza Sijarina, është një vajzë e re nga Gjilani e cila ka bërë shumë shoqëri gjatë trajnimit treditorë në Prizren. Ajo tha se ka marrë pjesë nëpër performanca kur ka qenë më e vogël, mirëpo jo në një mënyrë kaq profesionale sa tani.

“Trajnimi ështëdiçka krejt tjetër dhe kam mësuar gjëra të reja që nuk kam digju ma herët. Tash jam përcaktuar për profesionin që do ta zgjedh në të ardhmen”, është shprehur ajo.

Përveç të tjerash ngacmimi seksual, bullizmi, narkotikët, diverziteti i etnive, paragjykimet, papunësia, barazia gjinore dhe shkollimi ishin ato që trajnerët i trajtuan me pjesëmarrësit.

Këto tema u zhvilluan nëpërmjet lojërave të ndryshme, e kjo pikërisht ishte ideja e ngulitjes në kokë qëtë rinjtë ta gjejnë vetveten përmjet tyre.

Venera Ismali, nga Artpolis, tregoi se kjo është forma më e mirë e edukimit të këtyre grupmoshave. Kjo sipas saj është dëshmuar në shumë vende të botës që nëpërmjet këtij trajnimi arrihet një qëllim i caktuar.

“Fëmijët përmes një loje e marrin më së miri edukimin se sa kur t’u mbahen ligjërata. Mesazhi këtu është bashkëjetesa multietnike, toleranca si fetare ashtu edhe e nacionaliteteve, dhe thyhen paragjykimet. Tërinjtë janë ndarënë disa grupe. Fillimisht ata njihen me njëri tjetrin i shpalosin ëndrrat dhe dëshirat e tyre, e pastaj i mësojnë teknikat e teatrit dhe aktrimit. Këta kanë krijuar mini-shfaqje, janë edhe regjisorë edhe skenaristë edhe aktorë brenda një performance. Diferenca është shumë e madhe nga dita e parë në të dytën e tretën, fillimisht e kemi parë një distancë por pastaj ka ndryshuar, u bënë trupë teatrale dhe bashkëpunuan mjaft mirë mes vete”, ka thënë Ismaili.

Ajo më interesantja që ndodhi në këto tri ditë trajnimi ishte që performanca apo shfaqjet u dhanë në gjuhët amtare të pjesëmarrësve.

Slavisa Cukovic, pjesëmarrës nga Mitrovica e Veriut, tha se kjo gjë e ka ndihmuar të lirohet nga paragjykimet. Ai fillimisht falënderoi organizatën Artpolis dhe profesorin njëherësh edhe trajnerin që e kanë përzgjedhur të jetë pjesë e kësaj.

“Kam një ndjenjë tëveçantë, po mësojë gjëra të reja dhe po lirohem nga disa paragjykime që i kam pas më herët. Paragjykime në përgjithësi por edhe sa i përket nacionaliteteve. Zana është një person shumë interesant dhe kam mësuar shumë. Kjo është një përvojë shumë e mirë. Patjetër që do e regjistroj fakultetin e dramës, kjo për mua është një botë shumë interesante”, është shprehur Cukovic.

Krejt kjo mrekulli u përmbyll me premierat e shfaqjeve që kishin krijuar të rinjtë.

“Edukimi i Bazuar në Teatër me bashkëmoshatarë/e” të mbajtur në Prizren gjatë datave 20 – 22 shtator, 2019, u organizua nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis në kuadër të Koalicionit të Kosovës për Pajtim – KKP, përkrahur nga Unioni Evropian në Kosovë.

68497740_879168875771783_3322290545010671616_n-730x440

Insajderi-Shkolla verore mbi Drejtësinë Tranzicionale afroi 19 pjesëmarrës të nacionaliteteve në Kosovë

11.09.2019

Që nga data 5 e deri më 9 gusht, në qytetin e Prizrenit u mbajt Shkolla Verore mbi Drejtësinë Tranzicionale. Plotë 19 të rijnë (student), të nacionaliteteve që jetojnë në Kosovë, u bënë pjesë e kësaj shkolle që erdhi nën organizimin e Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë.

Shkolla Verore mbi Drejtësinë Tranzicionale, u mundësoi studentëve që të njihen më shumë me temat lidhur me instrumentet dhe ballafaqimin me të kaluarën, respektivisht me shtyllat e drejtësisë tranzicionale si: gjykimet për krime lufte, komisionet e së vërtetës, reparacionet dhe reformat institucionale.

Të gjithë pjesëmarrësve iu mundësua nga kjo shkollë që të mësojnë më shumë rreth Drejtësisë Tranzicionale, ku fillimisht u shtjelluar shtylla e të drejtës për drejtësi në të cilën ligjëruesit ishin nga Kosova dhe Serbia. Aty është diskutuar më detaisht për gjykimet e krimeve të luftës në Kosovës si dhe në Serbi, për dhomat e specializuara dhe gjithashtu edhe për Tribunalin e Hagës dhe punën që ai e ka bërë më herët për krimet në Kosovë.

Po ashtu është trajtuar edhe tema e Drejta për të Ditur, gjithashtu në këtë temë studentët kanë mësuar më shumë për komisionet e së vërtetës dhe pse janë të nevojshme të kuptohen dhe të dihet se çka ka ndodhur. Përveç kësaj pjesë e rëndësishme ishte edhe tema e reparacioneve ose dëmshpërblimeve, ku kanë  folur për dëmshpërblimet materiale dhe ato simbolike.

Ligjëratat nga departamenti i shpërndarjes së pensioneve për invaliditet e luftës kanë qartësuar më shumë për studentët se kush përfiton nga ky ligj dhe si, e Mehmet Musaj, Kordinator i Përgjithshëm në  QKRMT (KRCT) ka folur për temën “Trajtimi i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës”. Në kuadër të kësaj një ditë e tërë nga pesë ditët e rezervuara për Shkollën Verore mbi Drejtësinë Tranzicionale ishte edhe dita në terën. Këtë ditë, studentët bashkë me organizatorët kanë dalë në teren ku kanë shkuar në dy vende ku kanë ndodhur vrasjet masive. Aty, ata kanë pasur mundësi të bashkëbisedojnë edhe me të mbijetuarit e atyre masakrave.

E krejt në fund është trajtuar tema e reformave institucionale ku nëpërmjet ligjëratave studentët janë njoftuar se si është ndërruar korniza ligjore dhe janë adaptuar konventat ndërkombëtare pas konfliktit.

Për krejt këto ligjërata dhe punë në teren, ka folur edhe Dea Dedi nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë, e cila tha se studentët e kanë mirëpritur këtë Shkollë Verore, dhe që ishte një mundësi e mirë që të mësohet më shumë e vërteta rreth konfliktit apo luftës që ka ndodhur në Kosovë. Pjesë e kësaj shkollë ishin edhe student të nacionalitetit serbë.

““Në Shkollë ka pasur edhe studentë serbë, të gjithë këta e kanë pasur një ide se çfarë ka ndodhur gjatë luftës, mirëpo kjo shkollë ishte pjesë e informimit më të detajuar në lidhje me çfarë ka ndodhur në Kosovë. Me duket se gjithçka që është mësuar është pritur mirë nga të gjithë studentët nga të gjitha nacionalitetet”, Dea Dedi.

Ndërsa, studentët u shprehën të nderuara që ishin përzgjedhur në mesin e 150 aplikues sa ishin gjithsej.

“Shkolla ka qenë me një diskutim interaktiv dhe na ka mundësuar që ne si pjesëmarrës të angazhohemi me idetë tona për Drejtësinë Tranzicionale, veçanërisht për reparacionet që është një temë shumë e rëndësishme për viktima. Grupi ka qenë një nga grupet më aktive që e kam parë deri tash, ka ndodhë e kemi tejkaluar edhe orarin e diskutimit dhe kjo na ka ndihmuar shumë. Kjo është hera e parë që marr pjesë në një shkollë për Drejtësinë Tranzicionale”, është shprehur studenti Refik Tupella-student.

Ndërsa studentja Edolinda Krasniqi ka thënë se është shumë mirë për ta që kanë qenë pjesë e kësaj shkolle duke pasur parasysh që sipas saj, drejtësia tranzicionale është një temë mjaft aktuale kohëve të fundit.

“Na mungojnë njohuritë e thella rreth kësaj çështje. Është mundësi e mirë për ne që të njihemi dhe ta dimë se çfarë po ndodhë. Ka qenë shumë ndihmesë sepse shumë çështje nuk i kemi njohur aq thellë dhe nuk i kemi ditur”, ka pohuar Krasniqi.

Në fund, si aktivitete shtesë, studentët janë njohur më afër me punën e FDH Kosovë, Qendra e Dokumentimit Kosovë dhe kanë pasur mundësi t’i shkëmbejnë mendimet me ekspertë ndërkombëtarë dhe rajonal të drejtësisë tranzicionale. Krejt kjo është përmbyllur me ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit.

Shkolla Verore mbi Drejtësinë Tranzicionale u organizua nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ndërsa përkrahet nga Bashkimi Evropian – në kuadër të projektit nga Koalicionit Kosovar për Pajtim.

kosova-1

Kosova.info-Koalicioni që synon pajtimin në Kosovë

11.07.2019

‘Koalicioni i Kosovës për Pajtim’ quhet iniciativa e përbashkët e lansuar nga disa organizata joqeveritare që si synim kanë pajtimin ndëretnik në Kosovë, marrë parasysh historinë e hidhur të dekadave të fundit dhe konfliktit të viteve 1998-’99 dhe pasojave të tij.

Mbështetur nga Bashkimi Evropian, tri organizata joqeveritare, Fondi për të Drejtën Humanitare, Organizata Joqeveritare Aktiv nga Mitrovica dhe ArtPolis nga Prishtina, kanë lansuar zyrtarisht ‘Koalicionin e Kosovës për Pajtim’.

Hyrja në partneritet e këtyre organizatave po synon të trajtojë dhe kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve etnike në Kosovë, duke ngritur mirëkuptimin dhe pjesëmarrjen e nismave bazë të komunitetit, që kanë për qëllim nxitjen e procesit të pajtimit në Kosovë.

Bekim Blakaj, drejtor i “Fondit për të Drejtën Humanitare”, në Prishtinë tha se këtë herë kanë vendosur që të bashkohen forcat me organizata të ndryshme, për të kontribuuar në arritjen e paqes së qëndrueshme dhe pajtimit në Kosovë. Opinioni do të duhej të jetë më i informuar, nënvizoi Blakaj, duke shtuar se përmes këtij projekti, po synohet që të zbardhet e vërteta.

“Dokumentimi i së kaluarës dhe dokumentimi i humbjeve në njerëz gjatë periudhës së luftës dhe pas luftës, si dhe monitorimi i gjykimeve të krimeve të luftës, duhet të raportohen, pasi mendoj se njerëzit duhet të dinë më shumë për këto gjëra”, tha Blakaj.

Në anën tjetër, Miodrag Miliçeviq, drejtor i organizatës joqeveritare “Aktiv’’ nga Mitrovica, tha se për të gjitha bashkësitë etnike në Kosovës është i rëndësishëm avancimi i kualitetit të jetesës, të drejtat e barabarta dhe respektimi i të gjitha bashkësive. Ai u angazhua për ndërtimin e vlerave, qëllimeve dhe të ardhmes së përbashkët brenda dhe jo jashtë Kosovës.

“Pajtimi është kategori e vetme, më e ndryshme, më e gjerë dhe më e lartë. Kjo është shprehje e vullnetit tonë personal. Mënyra e vetme që ne t’i sjellim njerëzit deri tek ai nivel, është që ne, të gjithë, në anët tona të tregojmë se jemi të gatshëm që të ballafaqohemi me të kaluarën dhe në atë mënyrë ta hapim rrugën kah dialogu i hapur, i cili mund të na udhëheqë më tutje drejt ndërtimit më të mirë të shoqërisë, të cilën, jam i sigurt që e meritojmë të gjithë”.

“Ky është parakushti themelor që shoqëritë në Kosovë ta ndërtojnë veten në përputhje me vlerat qytetare, me të drejtat dhe liritë e secilit individ që jeton këtu”, tha Miliçeviq.

Ndërkaq, Zana Hoxha, nga organizata “ArtPolis”, tha se adresimi i problemeve ka qenë një aktivitet i vazhdueshëm, duke veçuar shkollën pranverore me vajza nga Kosova e Serbia, ku ato me angazhimin e tyre si aktiviste, kanë punuar për ndërtimin e paqes për vendet e tyre.

“Ky bashkëpunim nuk është vetëm projekt, por është një mision, është një punë të cilën do ta bëjmë në kuadër të strategjive tona, zhvillimit tonë për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, për një Kosovë më të mirë dhe jo të ndarë nëpërmes komuniteteve etnike, por ajo që krijon kushte për gëzimin e të drejtave të të gjithëve përfshirë komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha Hoxha.

Edhe Adriatik Kelmendi, gazetar tha se në aspektin medial, mediat shpeshherë kanë qenë vegël e politikës, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

“Jemi 20 vjet pas luftës në Kosovë. Ne po e trajtojmë këtë temë sikur të kishte ndodhur para një, dy apo pesë vjetësh, dhe kjo tregon për një dështim të madh tonin. Nëse i kthejmë reflektorët nga vetvetja pa ndonjë hezitim mund të them se edhe ne, media, nuk e kemi kryer punën ashtu siç është dashur. Pse ka qenë shpesh më e lehtë të bien në agjendat e politikës”.

“Por, duhet nënvizuar se ka organizata dhe individë, që kanë bërë përpjekje që konfliktet dhe viktima të mos ndodhin, por edhe të bëjnë evidentimin, punësimin, të vërtetat për luftën, qëndruarit pranë familjarëve, monitorimin e gjykimeve, pra është punuar më shumë se nga institucionet që kanë buxhet.“ tha Kelmendi.

Derisa Edis Galushi, nga komuniteti rom, tha se ky komunitet në vazhdimësi është manipuluar nga të dyja palët, si nga ajo kosovare, po ashtu edhe ajo serbe.

Ai potencoi faktin se kur bëhet fjalë për pajtimin, dhe ftohen palët për diskutim, janë zakonisht palët kosovare dhe serbe, duke i përjashtuar komunitetet tjera, e që siç thotë ai, ata kanë qenë të përfshirë me ose pa dashje në procese.

“Secilën herë, jo vetëm në këtë luftë, por edhe në luftëra të tjera në vende të ndryshme, romët janë manipuluar. Janë shfrytëzuar për qëllimet e të tjerëve” tha Galushi.

Edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, që kanë përkrahur formimin e këtij koalicioni, kanë thënë se është e rëndësishme që të merren iniciativa të tilla dhe se Kosova duhet të marrë shembull vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian që e kanë gjetur rrugën drejt pajtimit pas së kaluarës së hidhur.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, më shumë se 13.500 persona konsiderohen të vrarë në konfliktin e viteve 1998-’99. Prej tyre,rreth 11 mijë shqiptarë dhe mbi 2 mijë serbë dhe pjesëtarë të etnive tjera. Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur.