image00011

Takim organizativ për FemArt 2021

12.05.2021

Më 20-25 shtator 2021, Prishtina do të pasurohet me ngjarje e aktivitete kulturore e artistike nga më të ndryshmet që do të zënë vend në edicionin e nëntë të Festivalit FemArt.

Stafi i Artpolisit, më 12 maj, ka mbajtur mbledhjen e parë organizative të FemArt Festivalit, me ç’rast është vendosur për moton dhe skemën programore.

Në edicionin e sivjetmë do të ketë llojllojshmëri të aktiviteteve me theks të veçantë për feminizmin, duke filluar nga shfaqjet, performancat, punëtoritë, ekspozitat, koncertet, konferencat, publikime etj.

alb

Kërkohet përfshirja e të gjitha viktimave në pllakën përkujtimore në Lluzhan

Në përvjetorin e 22-të të ngjarjes tragjike në urën e Lluzhanit, me datë 1 maj 2021, në vendin e ngjarjes është përuruar pllaka përkujtimore kushtuar viktimave, e ngritur nga Komuna e Podujevës.

Në pllakën përkujtimore janë shënuar emrat e 31 viktimave të nacionalitetit shqiptarë, duke përjashtuar edhe 13 viktima serbe që po ashtu humbën jetën në këtë ngjarje. Kryetari i Komunës së Podujevës z. Shpejtim Bulliqi përmes një postimi në Facebook, mes tjerash, deklaroi ‘’… kemi shpalosur pllakën përkujtimore me të gjithë emrat e viktimave që kanë pësuar nga kjo tragjedi’’.
Për informim të publikut, sipas të dhënave të deri tanishme të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK), me datën 1 maj të vitit 1999, rreth orës 13:00, NATO goditi autobusin e Niš Ekspresit i cili në atë moment gjendej mbi urën e Lluzhanit dhe po qarkullonte në drejtim të Prishtinës. Si pasojë e kësaj ngjarje, humbën jetën 44 persona. Ndër ta ishin 31 civilë Shqiptarë dhe 13 Serbë, në mesin e të cilëve 7 civilë.
FDHK shprehë shqetësimin e thellë rreth mënyrës së tillë të përkujtimit të viktimave, e veçanërisht kur institucionet lokale dhe shtetërore kontribuojnë në fuqizimin e narrativave të njëanshme që vënë përpara versione selektive të historisë. Mohimi i viktimave në baza etnike, është fyerje për viktimat dhe familjaret e tyre si dhe thellon përçarjet mes komuniteteve në Kosovë.
Prandaj, FDHK kërkon nga Komuna e Podujevës që pllaka përkujtimore të paraqes drejtë ngjarjen e 1 majit të vitit 1999, duke përkujtuar kështu të gjithë ata që kanë humbur jetën në atë ngjarje. Gjithashtu, FDHK bën thirrje që të gjitha nismat për memoriale në nder të viktimave që t’i përfshijnë të gjitha viktimat, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre gjinore, raciale apo etnike.

Sipas gjetjeve të FDH dhe FDHK atë ditë në Lluzhan humbën jetën:
Ajeti Shefqet (1945)
Aliu Kujtim (1968)
Bulliqi Behxhet (1946)
Cvetić Milovan (1949)
Filipović Božur (1948)
Grujić Života (1964)
Ilić Miroslav (1961)
Ivanović Vladica (1969)
Jakupi Ajet (1958)
Jakupi Ibrahim (1935)
Janković Miodrag (1950)
Jelić Vukosav (1950)
Jupolli Gani (1932)
Jusufi Mehmet (1960)
Kopalla Arjeta (1985)
Kopalla Fatime (1966)
Kopalla Fetije (1953)
Kopalla Florinda (1981)
Kopalla Mirjeta (1997)
Kopalla Xhavit (1984)
Kostić Bojan (1973)
Malinić Milana (1950)
Musa Drita (1977)
Musa Fexhrije (1970)
Musa Selman (1973)
Petrović Marija (1984)
Petrović Nikola (1982)
Petrović Smiljana (1933)
Podvorica Bexhet (1960)
Potera Milazim (1958)
Potera Nurije (1967)
Qerimi Ibrahim (1940)
Ramadani Besa (1991)
Ramadani Besarta (1993)
Ramadani Besnik (1983)
Ramadani Bislim (1996)
Ramadani Fatime (1963)
Ramadani Gani (1928)
Ramadani Muzafere (1986)
Ramadani Rizah (1959)
Rexhepi Serbeze (1933)
Rrahmani Halime (1964)
Uka Adem (1947)
Vukadinović Zoran (1972)
Reagimin e përkrah edhe koalicioni jo-formal i organizatave jo-qeveritare dhe profesionistëve të cilët promovojnë Parimet për Ballafaqimin me të Kaluarën.

IMG_20210421_190339471_HDR

Të bashkuar më të fortë, por rivalë përgjithmonë

Stereotipet prekin të gjithë ne, veçanërisht vendet ende të ngarkuara nga konfliktet.

Shfaqja forum teatër “Të bashkuar më të fortë, por rivalë përgjithmonë”, që u zhvillua në Qendrën e Energjisë Qytetare në Mitrovicën e Veriut më 21 Prill, trajtoi këtë temë, me idenë për të treguar se sa problemi i stereotipave na pengon të funksionojmë normalisht. Përmes debatit ne jemi përpjekur të ndryshojmë pikëpamjen tonë për këtë problem.

Katër të rinj përfundojnë në xhungël pas aksidentit. Në vend që të bashkëpunojnë së bashku dhe të sigurojnë mbijetesën e tyre, një shqiptar, kroat dhe dy serbe, të rënduar/a nga stereotipet e tyre, ndahen në bazë kombësie, feje dhe gjinie. Duke humbur kohë në konfliktet e tyre, ata nuk arrijnë ta zgjidhin problemin kryesor të tyre, mbijetesën.

Aktorët Lidija Nikolić, Emilija Popović, Uroš Cvetković, Miloš Trifunović, Momçilo Jovanoviq të trajnuar nga Filip Pajić, përcollën me sukses para publikut atmosferën dhe problemet e personazheve të tyre.

Kjo shfaqje u përmbush më shumë nga një diskutim midis publikut dhe aktorëve / aktoreve pas përfundimit të performancës.

Aktiviteti u krye në përputhje me rekomandimet për parandalimin dhe shtypjen e përhapjes së virusit Covid-19.

Ky aktivitet mbështetet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Bashkimi Evropian në Kosovë përmes projektit “Transformimi i perceptimeve konfliktuale përmes rritjes së angazhimit qytetar dhe të komunitetit në Kosovë” i zbatuar nga Artpolis dhe OJQ AKTIV si anëtare të Koalicionit të Kosovës për Pajtimin (KCR).

178573446_2956002134718395_801599346835680147_n

FDHK publikon raportin vjetor: “Gjykimet për krimet e luftës: përparim i ngadaltë”

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) ka publikuar të hënën, me datën 26 prill 2021, raportin për vitin 2020: “Gjykimet për krimet e luftës: përparim i ngadaltë”, i cili është përpiluar si rezultat i monitorimit të gjykimeve lidhur me konfliktin e armatosur, si dhe me veprat penale të motivuara etnikisht dhe politikisht në Kosovë. Me rastin e këtij publikimi, FDHK organizoi konferencën online ku u zhvillua debati mbi temën “Zvogëlimi i hapësirës për mosndeshkueshmëri: Dialogu si mundësi per bashkëpunim juridik ne mes te Serbisë dhe Kosovës”.

Fjalët hyrëse në konferencë u paraqitën nga ministrja e drejtësisë, Znj. Albulena Haxhiu, shefi i zyrës së BE ne Kosovë, Z. Tomáš Szunyog dhe ambasadori Britanik në Kosovë, Z. Nicholas Abbott.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ministria që ajo udhëheqë do ta ketë prioritet adresimin e krimeve të luftës. Në këtë kuadër ajo u shpreh se është shume e rëndësishme që të fuqizohet kapaciteti i Prokurorisë Speciale për adresimin e këtyre krimeve. Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog tha se BE-ja e ka mbështetur ketë proces tash e sa kohë dhe se monitorimi i këtyre seancave ka rëndësi fundamentale për të siguaruar legjitimitetin e tyre. Ai shtoi se falë raportit vjetor të FDHK, tashmë ekziston një përmbledhje e saktë të asaj se çfarë ka arritur sistemi i drejtësisë gjate vitit 2020. Ambasadorit Britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, potencoi se është vërejtur një rritje e numrit të prokurorëve që merren me këto raste dhe ky është një progres, por ende mbetet shumë per t’u bërë.

Pas fjalëve hyrëse, raporti u prezantua nga Znj. Anka Kurteshi Hajdari, e cila është edhe autore e tij. Ajo, ndër te tjera, ka theksuar se një nga rekomandimet kryesore qe përmban raporti më i ri i FDHK konsiston në domosdoshmërinë e vendosjes së bashkëpunimit juridik ndërkombëtar mes Kosovës dhe Serbisë.

Në sesionin e titulluar “Zvogëlimi i hapësirës për mosndeshkueshmëri: Dialogu si mundësi per bashkëpunim juridik ne mes te Serbisë dhe Kosovës” pikëpamjet e tyre i paraqitën panelistët: kryeprokuror i PSRK Blerim Isufaj, U.D kryetarit të Gjykatës Themelore Prishtine, Arben Hoti, shef i Zyrës Ligjore dhe te Drejtave te Njeriut në EULEX Paul Flynn, themeluesja e FDH Nataša Kandić dhe avokati Artan Qerkini. Përfaqësuesit e gjyqësorit Kosovar në këtë panel përmendën sfidat me të cilat po ballafaqohen në procedimin e lëndëve për krime lufte, ndërsa panelistët tjerë ofruan shembuj të bashkëpunimit në të kaluarën dhe ide për një mundësi të bashkëpunimit rajonal në të ardhmen.

ARTPOLIS-0376

Shfaqja forum teatër “Othello nga Kosova”

Racizmi e diskriminimi janë çështje shqetësuese në shoqërinë kosovare, e ato duhet luftuar në çdo moment e në shumë mënyra.

Shfaqja forum teatër “Othello nga Kosova” që u realizua në Teatrin Oda më 14 prill shpërfaqi problemet me të cilat përballen komunitetet në Kosovë, por edhe një diskutim të gjallë për veprimet që ne duhet t’i ndërmarrim si shoqëri që të luftojmë këto dukuri, e të rrisim ndërgjegjësimin.

“Othello nga Kosova” ndërthur ofendimet raciste, tradhtitë, xhelozitë e intrigat që ende zënë vend në shoqërinë tonë. Ngjarja fillon kur tre të rinj përgatiten që ta befasojnë shoqen e tyre Desdemonën në ditëlindjen e saj, megjithatë befasia e vërtetë vjen nga vet ajo.

Në këtë festë Desdemona prezanton të dashurin e saj Othellon, që është nga një komunitet tjetër, gjë e cila sjell në pah racizmin dhe xhelozinë e Jagos dhe të Biankës. E në anën tjetër solidaritetin e Kasit me Othellon, i cili gjithashtu është viktimë e racizmit nacionalist pasi rrjedh nga prindër me kombësi shqiptare e serbe.

Aktorët Art Pasha (Jago), Blendon Ahmeti (Kasi), Djellza Dema (Desdemona), Ergjan Mehmeti (Othello) dhe Venera Bojaj (Bianka) të trajnuar nga Edlir Gashi me mjeshtëri sjellën në jetë këto dukuri helmuese në shoqërinë tonë.

E këtë shfaqje e plotësoi edhe më tepër diskutimi i publikut me aktorët/et pas përfundimit të shfaqjes.

Veton Gashi, nga komuniteti jo shumicë  gjatë diskutimit tha se vrasje edhe më e rëndë sesa privimi fizik nga jeta është mbytja e shpresës tek të rinjtë e komuniteteve.  

“Plot njerëz si Jago mund të kenë gjuhë të urrejtjes. Nuk është e lehtë, unë jam prej komuniteteve….Jeta e një personi nuk humb vetëm nëse e vranë, jeta e një personi humb kur ia shuan shpresën nëse e ofendon, kërcënon, kjo duhet të ndryshohet. Unë po mendoj se gjeneratë pas gjenerate po ndryshohet dhe po shpresoj se kjo gjeneratë që jemi duke e parë shfaqjen është pozitive dhe ka me qenë tërë jetën pozitive me ne, e jo ta përkrahin Jagon e me thënë mirë po ia bënë”, është shprehur Gashi ndër të tjera.

Kurse drejtoresha e Artpolisit, njëkohësisht edhe regjisorja e teatrit Zana Hoxha e cila e facilitoi diskutimin, pasi falënderoi Veton Gashin për këtë fjalim, tha se, “po e përmbyllim këtë sesion me shpresën se kjo shfaqje na ka bërë të reflektojmë dhe na ka bërë agjentë të ndryshimit”.

Aktiviteti u krye në përputhje me rekomandimet për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.

Ky aktivitet mbështetet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), e financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Bashkimi Evropian në Kosovë përmes projektit “Transformimi i perceptimeve konfliktuale përmes rritjes së angazhimit qytetar dhe të komunitetit në Kosovë” i zbatuar nga Artpolis dhe OJQ AKTIV si anëtare të Koalicionit të Kosovës për Pajtim (KCR).

1

Shkolla Pranverore Feministe 2021 – Pjesa e parë

01-04.04.2021

Me moton “Vajzat e reja ndërtojnë paqen”, filloi edicioni i Shkollës Pranverore Feministe që bëri bashkë më shumë se 20 vajza nga Kosova e Serbia.

Për katër ditë me radhë, 1-4 prill, këto vajza u trajnuan dhe morën ligjërata mbi feminizmin dhe më gjerë nga Anita Panteliq, Marijana Toma, Marijana Stojçiq dhe Ajna Jushiq.

Në fillim të secilës seancë për pjesëmarrëset u krijua një hapësirë e sigurt duke u prezantuar në forma creative dhe të bashkëveprojnë duke bërë pyetje e duke shkëmbyer përvoja e ide të ndryshme. Për to ishte siguruar gjithashtu përkthim në të dy gjuhët – shqip dhe serbisht, që të shprehen secila në gjuhën amtare dhe ta dëgjojnë dhe të mësohen me gjuhën tjetër.

“Historia e pozicionit dhe organizimit të grave në pjesën e dytë të shekullit të 20-të në ish-Jugosllavi”, “Mekanizmat e Drejtësisë Tranzicionale”, “Qasja Feministe në Drejtësi: Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Gjykata e Grave”, “Fëmijët e Harruar të Luftës” ishin temat kryesore që u trajtuan dhe u diskutuan gjatë këtij edicioni të Shkollës Pranverore Feministe.

Se Ballkani Perëndimor ka potencial që nga dikur vatër e luftërave të shndërrohet në vend të paqes e tregon edhe kjo deklaratë e aktivistes Majlinda Behrami gjatë këtij trajnimi: “Sikur politikanët, të cilët në shumicën e rasteve janë burra, do të ishin të prirë të punonin për arritjen e paqes me të njëjtin vullnet si ai që po shpërfaqet në këtë takim, Ballkani Perëndimor me të vërtetë do ishte vend i ëndrrave për të jetuar”.

Shkaku i pandemisë COVID-19 pjesa e parë e Shkollës u mbajt online, derisa u organizua nga partnerët “Qendra Alternative e Vajzave” nga Krushevci dhe “Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet” nga Prishtina.  

Projekti “Gratë e reja ndërtojnë paqen në Kosovë dhe Serbi” implementohet në bashkëpunim me dhe Artpolis-Qendra për Art dhe Komunitet dhe Qendra Alternative e Vajzave ndërsa përkrahet nga Unioni Evropian në Kosovë dhe Kvinna till Kvinna.

165666796_3788358144551736_9201205249914486707_n

FORUM FUTURE 2021 “GJUHA SI URË”

Një konferencë dy-ditore që do të mbahet në Qendrën e Energjisë Qytetare në Mitrovicën e Veriut më 30 dhe 31 Mars 2021.

Këtë herë ne adresojmë çështjen e hendekut gjuhësor ekzistues midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës. Kjo pengon ndërveprimet ndëretnike dhe ndikon negativisht në marrëdhëniet, në fund të fundit duke parandaluar anëtarët e të dy komuniteteve, në veçanti të segmenteve të tyre më të rinj, të angazhohen me njëri-tjetrin në krijimin e një shoqërie vërtet multietnike dhe shumëgjuhëshe.

Qëllimi i konferencës do të jetë ofrimi i diskutimit publik dhe të hapur për trajtimin e së kaluarës, marrëdhëniet e tanishme dhe të ardhshme midis serbëve dhe shqiptarëve.

Njëzetedy vjet pas konfliktit, shqiptarët dhe serbët në Kosovë mbeten poltikisht dhe socialisht të ndarë nga njëri-tjetri dhe nuk ka ndjesi për një të ardhme apo qëllime të përbashkëta midis këtyre dy grupeve. Shoqëria Civile e Kosovës, në ndjekje të objektivave të veta, shpesh neglizhon procesin e pajtimit.

Investimi në të ardhmen kërkon investime në dialog të hapur dhe të ndershëm, me pjesëmarrjen e ekspertëve përkatës, sociologëve, etnologëve, historianëve, përfaqësuesve politikë, drejtuesve të komunitetit dhe individëve të tjerë me kredencialitete të mjaftueshme për të ndikuar në perceptimin e publikut.
 

Agjenda, 30 Mars

10:00 – 10:10   Regjistrimi i pjesëmarrësve

10:10 – 10:30   Fjalët Hyrëse  

10:30 – 11:30   Panel Diskutimi 1: Gjuha në sistemin arsimor si të arrini atje dhe cilat hapa duhen?

Mungesa e mësimit të ndërsjellë të gjuhës në arsimin zyrtar është identifikuar prej kohësh si një nga reformat kryesore që duhet të ndërmerren për të zvogëluar distancën gjithnjë në rritje midis dy komuniteteve.

Panelistët:

Xhavit Rexhaj, Ish zëvendës Ministër i Arsimit dhe Shkencës

Nora Bezera, pedagoge në Departamentin e Albanologjisë në Universitetin e Beogradit,

Veljko Samardžić, drejtor Ekzekutiv, Qendra për iniciativa sociale. Projekti Voc-Up.

Linku për ndjekjen e Panelit të Diskutimit 1 përmes platformës Zoom: https://us02web.zoom.us/j/87283180966

11:30 – 12:00   Pauza e kafes

12:00 – 13:00   Panel Diskutimi 2: Modeli i arsimit dygjuhësor i aplikuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Prezantimi i modelit për arsimin ndërkulturor i zbatuar në Republikën e Maqedonisë Veriore si model i arsimit që mundëson integrimin e suksesshëm të nxënësve, prindërve dhe mësuesve nga bashkësi të ndryshme etnike përmes një procesi modern të edukimit.

Panelistët:

Veton Zekolli, drejtori Ekzekutiv i Nansen Dialogue Center Shkup.

Biljana Krsteska-Papić, menaxher i Qendrës së Trajnimit në Nansen Dialogue Center

Sonan Bilal, menaxher i Projektit Nansen Dialogue Training Center Skopje

Sunčica Milenković, mësues nga shkolla fillore në Jasenovik, Novo Brdo. Pjesëmarrës në trajnimin për arsimin ndërkulturor dhe dygjuhësor.

Linku për ndjekjen e Panelit të Diskutimit 2 përmes platformës Zoom: https://us02web.zoom.us/j/89998216792

13:00 – 13:20   Fjalët përmbyllëse të ditës së parë

13:20 – 15:00   Koktej rasti

Agjenda 31 Mars

10:00 – 10:10   Regjistrimi i pjesëmarrësve

10:10 – 10:30   Fjalët Hyrëse    

10:30 – 11:30   Panel Diskutimi 3: “Dygjuhësia zyrtare në Kosovë – kushtet kryesore dhe sfidat”

Ne do të shqyrtojmë gjetjet kryesore dhe rekomandimet e punimit hulumtues “Dygjuhësia zyrtare në Kosovë – kushtet kryesore dhe sfidat”. Punimi heton mangësitë kryesore ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e të drejtave gjuhësore në Kosovë dhe propozon sugjerime të politikave për përmirësimin e tyre.

Panelistët:

Ognjen Gogić- Menaxher i Projekteve OJQ Aktiv

Ivan Spasojević- Jurist Gjykata Themelore në Mitrovicë

Ben Murgatroyd- Hulumtues i Politikave

Linku për ndjekjen e Panelit të Diskutimit 3 përmes platformës Zoom: https://us02web.zoom.us/j/89805403451

11:30 – 12:00   Pauza e kafes

12:00 – 13:00   Panel Diskutimi 4: Rinia dhe hendeku gjuhësor.

Njohuritë e ndërsjella të gjuhës shqipe dhe serbe kanë qenë në rënie në të dy komunitetet, veçanërisht në mesin e brezave të rinj. Si ndikon kjo në brezat e rinj?

Panelistët:

Gentian Krasniqi- Aktivist Rinor, Check In

Besa Bllacaku- Aktiviste Rinore, Youth Task Force

Anesa Čolaković- Aktiviste, Peace4Development

Petar Đorđević- Aktivist Rinor, Young Gracanica

Linku për ndjekjen e Panelit të Diskutimit 4 përmes platformës Zoom:

https://us02web.zoom.us/j/81363566527

13:00 – 13:15   Fjalët përmbyllëse

13:15 – 15:00   Koktej rasti     

Do të ofrohen përkthime në anglisht, serbisht dhe shqip.                

Shënim: Numri i shikuesve të drejtpërdrejtë është i kufizuar për shkak të situatës pandemike, nëse dëshironi të jeni në audiencë, ju lutemi regjistrohuni në panelin për të cilin jeni të interesuar përmes emailit: applications@ngoaktiv.org

DSC_0249

Trajnimi i Programit të Forum Teatrit i bashkoi të rinjtë/rejat e komuniteteve të Kosovës

26.02 – 01.03.2021

Në Prizrenin e bukur, u mblodhën vajza e djem të komuniteteve që jetojnë në Kosovë, për të marrë pjesë në trajnimin katër ditor “Edukimi i bazuar në teatër”. Moti i bukur dhe me diell i shtyu organizatorët e trajnimit që ti modifikojnë ushtrimet dhe ta vërshojnë skenën e Kalasë së Prizrenit. Pastaj, trajnerët Zana Hoxha dhe Edlir Gashi vazhduan me agjendën, duke zhvilluar ushtrime dhe improvizime të skenave të teatrit, mbi temat e diskutuara sociale me fokus në bashkëjetesën multietnike.

E veçanta e këtij trajnimi ishte punëtoria me maska që ishte një relaksim por njëkohësisht një shtytje për zhvillim të kreativitetit. Maskat u bënë pjesë e shfaqjeve. Risia e trajnimit ishte loja me lëvizjet e trupit, e udhëhequr nga koreografi Robert Nuha, e cila po ashtu ndihmoi në performancën e pjesëmarrësve.

“Çka e dallon këtë punëtori dhe grup prej të tjerëve, është se  unë këtu nuk kam parë asnjë lloj paragjykimi diçka që kam hasë në punëtori të tjera. E ajo që ishte karakteristike, të gjithë kemi bërë përpjekje që të kuptohemi mes vete, duke qenë se nuk flasim të njëjtën gjuhë, dhe kjo është përshtypja ime më e fortë dhe më pozitive për këtë trajnim” – thotë pjesëmarrësja e trajnimit nga Mitrovica e Veriut, Djurdjica Kaziq.

Trajnimi 4 ditor “Edukimi i Bazuar në Teatër” u mbajt në Prizren, organizuar nga anëtarët e Koalicionit të Kosovës për Pajtim, Artpolis dhe NGO Aktiv.

Të gjitha aktivitetet u kryen në përputhje me rekomandimet për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.

https://bit.ly/2PpnIsQ
52893199_1935515156576756_1685577498911309824_o

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar serbin e Kosovës me dymbëdhjetë vite burgim për krime të luftës

Trupi gjykues i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë/Priština (ka kryesuar gjyqtarja Albina Shabani-Rama[1]), në datën 24 dhjetor të vitit 2020, e ka shpallur serbin nga Çagllavicë/Čaglavica, Nenad Arsiqin, fajtor për kryerjen e veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile[2] sipas dy pikave dhe ia ka shqiptuar dënimin me burgosje në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vitesh. Vendimi i gjykatës është shpallur pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor të hapur në lëndën Prokurori kundër Nenad Arsiqit, lidhur me aktakuzën e Zyrës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës – ZPSK (PPS. nr. 01/2016 e datës 6 dhjetor të vitit 2019).

Në arsyetimin e shkurtë të vendimit të vet, trupi gjykues ka thënë se ai është sjellë në bazë të dëshmive të paraqitura gjatë shqyrtimit kryesor, duke shtuar se deklaratat e dëshmitarëve/të dëmtuarve e kanë identifikuar të akuzuarin si person, i cili gjatë konfliktit të armatosur me persona të tjerë të paidentifikuar, në datën 21 maj të vitit 1999 ka qenë në pronën e tyre në lagjen Emshir/Emšir, në Prishtinë/Priština, se në bashkëkryerje me të tjerët ka marrë pjesë në shkatërrimin dhe uzurpimin e pronës së tyre, me ç’rast iu janë shkaktuar lëndime të rënda trupore, si edhe se në veprimet e të akuzuarit qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile. Gjykata, me rastin e llogaritjes së dënimit ka pasur parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese, të parapara me nenin 41 të LP të RSFJ-së.

I akuzuari, gjatë kohës së zhvillimit të shqyrtimit kryesor ka qenë në paraburgim, i cili ka qenë i caktuar nga momenti i privimit nga liria, në datën 22 tetor të vitit 2019 dhe i cili i është vazhduar deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) rregullisht e ka monitoruar gjykimin e të akuzuarit Arsiq, i cili është hapur në datën 22 qershor të vitit 2020. Në bazë të monitorimit të gjykimit dhe analizës së dokumentacionit gjyqësor publik në dizpozicion në këtë lëndë, FDHK gjen se dëshmitarët/të dëmtuarit me deklaratat e tyre gjatë shqyrtimit kryesor e kanë vërtetuar praninë e të akuzuarit Arsiq në ditën kritike në vendin e kryerjes së veprës penale, me të cilën ai me anë të aktakuzës akuzohet. Ata, po ashtu, kanë vërtetuar se i akuzuari me këtë rast i ka goditur me objekte të forta nëpër trup si edhe se me persona të tjerë të panjohur ka marrë pjesë në shkatërrimin e pronës së të dëmtuarve dhe po ashtu edhe në konfiskimin e parave dhe të gjërave të vlefshme prej tyre.

FDHK po ashtu vëren se është shumë e mundshme se kalimi i kohës nga momenti i kryerjes së veprës penale, për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor, deri te gjykimi përkatësisht shqiptimi i vendimit gjyqësor ka ndikuar në disa mospërputhje të caktuara në deklaratat e dëshmitarëve mbi këtë ngjarje, të cilat ata i kanë dhënë në fazat paraprake të procedurës. FDHK, megjithëkëtë, tash për tash nuk dëshiron të deklarohet mbi peshën, të cilën gjykata e shkallës së parë ua ka dhënë vlerësimeve me anë të të cilave e ka vlerësuar relevancën e dallimeve në vëzhgimet e dëshmitarëve lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në ditën kritike. FDHK do të ketë mundësi të deklarohet vetëm pas shikimit dhe analizës së aktgjykimit të shkallës së parë, kur do të vlerësohet edhe ajo nëse dënimi i shqiptuar është adekuat.

Po ashtu, fakti se gjykata të akuzuarit ia ka shqiptuar dënimin unik, pa një përllogaritje të veçantë të dënimit lidhur me veprimet me të cilat ai ngarkohet, do të jetë objekt i analizës në kuadër të raportit të gjithëmbarshëm mbi gjykimet më të rëndësishme të cilin FDHK e përgatitë për vitin 2020.

Zyra e PSRK, me aktakuzën e datës 6 dhjetor të vitit 2019, të akuzuarit Nenad Arsiqit ia ka vënë në barrë kryerjen e veprës krim i luftës kundër popullatës civile sipas dy pikave:

-se gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, në datën 21 maj të vitit 1999, rreth orës 8:00 në Prishtinë, në lagjen Emshir/Emšir, në cilësinë e pjesëtarit të formacionit rezervë të policisë serbe, në uniformë dhe i armatosur, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar të policisë, me automjetin e policisë ka shkuar në pronën e familjes Shala si edhe se me qëllim të lëndimit të integritetit trupor dhe shëndetit fizik e mendor, me objekte të drurit dhe me kërbaq e ka goditur Jakup dhe Skender Shalën nëpër trup për një kohë të gjatë, duke iu shkaktuar kështu vuajtje të mëdha dhe lëndime të rënda trupore. Të dy vëllezërit Shala edhe sot i ndjejnë pasojat e rrahjeve dhe të keqtrajtimeve, me çka, sipas aktakuzës, i akuzuari e ka kryer veprën penale krim i luftës kundër popullatës civile.

– se i akuzuari, në të njëjtën ditë, në të njëjtën kohë, në vendin e cekur më lartë, në të njëjtën cilësi, me vetëdije ka marrë pjesë në shkatërrimin masiv dhe uzurpimin e paligjshëm të pronës, që nuk është arsyetuar me nevojat ushtarake. Ai ka marrë pjesë në bastisjen e shtëpive familjare të katër vëllezërve Shala, me ç’rast janë dëmtuar orenditë shtëpiake dhe gjërat të tjera me vlerë, janë demoluar objektet ndihmëse, ferma në pronësi të Jakupa Shalës, prej nga janë uzurpuar: 3.200 litra nafte të futura nëpër fuçi; 160.000 marka gjermane të fshehura në oborrin e Sherif Shalës; 80.000 marka gjermane të fshehura në kotecin, i cili ka qenë në oborrin e shtëpisë së Isak Shalës. Nga garazhi dhe oborri i familjes Shala, në ditën kritike është uzurpuar automjeti Renault Espase; një motokultivator dhe një traktor, pronë e Jakup Shalës; automjeti i tipit Volkswagen Jetta, pronë e Enver Shalës; automjeti Opel Vectra, pronë e Hakif Bajramit; automjeti Jugo Corral 55,pronë e Vahid Halilit dhe automjeti Mercedes MB 100,pronë e Skender Shalës, me çka, sipas aktakuzës, i akuzuari e ka kryer veprën penale krim i luftës kundër popullatës civile. 

Pas procedurës së paraparë me ligj të vlerësimit të aktakuzës, në datën 22 qershor të vitit 2020, në Gjykatën Themelore në Prishtinë/Prištinë është hapur shqyrtimi kryesor gjatë të cilit trupi gjykues është takuar në seanca në njëmbëdhjetë (11) ditë gjyqësore. Shqyrtimi është hapur me leximin e aktakuzës, lidhur me të cilën i akuzuari është deklaruar i pafajshëm. Para panelit shqyrtues janë dëgjuar nëntë (9) dëshmitarë të propozuar nga prokuroria dhe tre (3) dëshmitarë të propozuar nga i akuzuari dhe mbrojtja e tij. I akuzuari ka dëshmuar para panelit shqyrtues. Gjatë shqyrtimit janë paraqitur provat materiale të propozuara nga palët në procedurë, pas të cilave prokurorja Drita Hajdari e ka ndryshuar dispozitivin e aktakuzës në pikëpamje të kualifikimit juridik të veprës penale, me të cilën ngarkohet i akuzuari. Palët në procedurë i kanë paraqitur argumentet e tyre përmbyllëse.

Në pajtim me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës të datës 29 maj të vitit 2020, me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID – 19, shqyrtimi kryesor ka qenë i hapur për vëzhguesit dhe mediet, por jo për publikun.