DSC_0156-2

KONFERENCA: E KALUARA, E TASHMJA, FORUMI I SË ARDHMES – GJENDJA E PAJTIMIT NË KOSOVË

15.04.2022

OJQ AKTIV, në bashkëpunim me anëtarët e Koalicionit të Kosovës për Pajtim, organizoi konferencën “E kaluara, e tashmja, FORUMI I ARDHMES – Gjendja e Pajtimit në Kosovë”, e cila u mbajt më 12 dhe 13 prill në Qendrën e Energjisë Qytetare në Mitrovicën e Veriut.

Në katër panele, 15 ekspertë nga fusha të ndryshme në prani të përfaqësuesve të komunitetit diplomatik, mediave, shoqërisë civile dhe të rinjve nga komunitetet e ndryshme etnike, diskutuan temën e pajtimit nga perspektiva e mediave, shoqërisë civile, sigurisë dhe pozitës së komuniteteve joshumicë. Përfaqësues të mediave, shoqërisë civile dhe ekspertë të të drejtave të njeriut thanë se është e nevojshme të ndërtohet pajtimi përmes dialogut të drejtpërdrejtë të të gjitha komuniteteve, me pjesëmarrjen aktive të institucioneve.

Konferencën e hapi drejtori ekzekutiv i OJQ Aktiv, Miodrag Milliqeviq, i cili fillimisht parashtroi pyetjen nëse e gjithë shoqëria ka bërë mjaft në procesin e pajtimit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, por edhe komuniteteve tjera në Kosovë.

“Pritjet e shumë prej nesh sot janë se ne si shoqëri jemi mjaftueshëm të aftë për t’u përballur me të gjitha problemet që rëndojnë komunitetet tona, dhe që kemi forcë të mjaftueshme dhe një shkallë të lartë përkushtimi për të tejkaluar sfidat e shumta me të cilat përballemi si shoqëri për më shumë se dy dekada”, tha Milliqeviq.

Sipas tij, normalizimi i plotë i marrëdhënieve nuk mund të arrihet pa mbështetjen e politikëbërësve zyrtarë, komunitetit ndërkombëtar, shoqërisë civile dhe mediave.

Në panelin e parë folën Goran Avramoviq, gazetar i Radio KiM, Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Tatjana Llazareviq, kryeredaktore e portalit KoSSev dhe Besa Luci, kryeredaktore e portalit Kosovo 2.0.

Gazetarët vlerësuan se mediat nuk janë pengesë serioze për pajtim, por edhe se nuk japin ndonjë kontribut të madh në atë proces. Ata theksuan se më së shpeshti problemet raportohen nga këndvështrimi i narratives nacionale, ndërsa storjet për qytetarët dhe problemet e tyre të përditshme janë më pak të pranishme në media.

Është vlerësuar se “Roli i mediave nuk është të punojnë për pajtim, por nuk duhet të punojnë as në thellimin e dallimeve”.

Në panelin e dytë, Nora Ahmetaj, themeluese dhe drejtoreshë e Qendrës për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim, Marigona Sabiu, drejtoreshë e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Darko Dimitrijeviq, gazetar dhe drejtor ekzekutiv i Qendrës për të Drejtat e Komuniteteve të Pakicave, dhe Millica Jakovleviq, menaxhere e projektit, Ndërtimi i Komuniteteve Mitrovicë, diskutuan për rolin e shoqërisë civile në procesin e pajtimit.

Panelistët vlerësuan se progresi në pajtim është vërejtur në nivel individual dhe se njerëzit komunikojnë në mënyra të ndryshme, si dhe ndërmjet grupeve të caktuara, siç është komuniteti i biznesit që bashkëpunon për një kohë të gjatë dhe sektori joqeveritar. Vlerësohet se më problematik është niveli politik.

“Është një nivel që merr vendime dhe i hap rrugën pajtimit të përgjithshëm, mirëpo për momentin nuk ka progres”, thanë pjesëmarrësit, duke shtuar se ka pak progres për faktin që “të dyja palët janë ulur për të diskutuar rreth problemeve”.

Panelistët theksuan se procesi i pajtimit kishte filluar, por që e gjithë shoqëria nuk është e përfshirë. Ata theksuan se OJQ-të kontribuuan më së shumti në pajtim, por që nuk shkoi larg.

Çështja e lidhjes ndërmjet situatës së sigurisë dhe procesit të pajtimit është analizuar nga pjesëmarrësit e panelit të tretë Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i Qendrës Avokuese për Kulturë Demokratike, Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Afërdita Sylaj Shehu, drejtoresh ekzekutive e Community Building Mitrovica dhe Igor Markoviq, hulumtues i lartë dhe menaxher i projektit në OJQ AKTIV.

Panelistët vlerësuan se incidentet e sigurisë dhe situata politike e vështirësojnë jetën dhe pajtimin ndërmjet komuniteteve, në radhë të parë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, ndërsa elitat politike me narrativet e tyre kontribuojnë në tensione.

“Duhet investuar në ndërtimin e paqes, veçanërisht sot kur jemi dëshmitarë të paqëndrueshmërisë së madhe në kontinentin e Evropës,” thanë panelistët.

Pjesëmarrës në panelin e katërt ishin përfaqësues të shoqërisë civile të komunitetit turk, rom, ashkali, egjiptian dhe goran. Fatir Berzati, aktivist dhe kryeredaktor për gjuhët sllave në Kosova Info nga komuniteti goran i Kosovës, Sejfi Kodra, përkthyes, politolog dhe aktivist nga radhët e komunitetit turk të Kosovës dhe Mimoza Gavrani, eksperte e politikave praktike nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal në emër të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, folën për qëndrimin e këtyre komuniteteve.

Panelistët vlerësuan se duhet bërë më shumë në mënyrë që komunitetet më të vogla të ndjehen të lira. U theksua se këto komunitete janë veçanërisht të ndjeshme për shkak se ballafaqohen me stereotipa të ndryshëm, megjithëse ka zgjidhje të mira ligjore që u garantojnë të gjitha të drejtat e tyre.

“Është shumë e rëndësishme të përfshihen komunitetet më të vogla në procesin e pajtimit dhe ndërtimit të së ardhmes. Ne duhet të rikthejmë besimin tek institucionet. Komunitetet më të vogla duan të jenë pjesë e iniciativave që kanë të bëjnë me pajtimin, paqen dhe stabilitetin”, porositën pjesëtarët e OJQ-ve.