Alb

Reagim

Prishtinë, 08.07.2021

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kosovë, shprehin shqetësim për situatën e krijuar me rastin e kthimit të znj. Dragica Gašić në qytetin e Gjakovës dhe në veçanti për veprimet ligjore të ndërmarra nga ana e Komunës së Gjakovës kundrejt saj.

Më 06 korrik 2021, Komuna e Gjakovës ka dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, ku si objekt i kësaj padie ishte “kërkesa për anulimin e kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme.” Në të njejtën kohë, Komuna e Gjakovës ka kërkuar që të paditurës t’i caktohet një përfaqësues ligjor i përkohshëm, pasi që të njejtës nuk i dihet vendbanimi.
Ne konsiderojmë që një veprim i tillë është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe nuk është në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht bie ndesh me nenin 156 të saj, me titull “Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur brenda vendit”, ku thuhet se Republika e Kosovës promovon dhe lehtëson kthimin e sigurt dhe me dinjitet të refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit dhe u ndihmon atyre për kthimin e pronave dhe posedimeve të tyre. Znj. Gašić posedon dokumentet e nevojshme, me të cilat ajo vërteton të drejtën e saj për shfrytëzim të pronës, e drejtë kjo e cila i është dhënë me vendimin e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verfikim të Pronës. Kjo Agjenci duke pasur për bazë kërkesën e znj. Gašić, më 9 qershor 2021 e kishte liruar banesën e saj duke e larguar familjen e cila kishte qenë aty, për ta mundësuar kthimin e znj. Gašić në atë banesë.

Duke pasur parasysh se veprimet e znj. Gašić kanë qenë konform procedurave për kthim, duke mos cënuar apo rrezikuar asnjë person tjetër, konsiderojmë se situata e krijuar si rezultat i ardhjes së saj dhe ndërmarrja e veprimeve ligjore, janë në kundërshtim me frymën demokratike dhe multietnike të shtetit të Republikës së Kosovës dhe nuk kontribuon në procesin e ballafaqimit me të kaluarën.

Prandaj i bëjmë thirrje autoriteteve lokale të Gjakovës që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke e tërhequr padinë ndaj znj. Gašić, dhe duke ia lehtësuar kthimin dhe qëndrimin e saj në Gjakovë.

#kcr#hlck#yihr#artpolis#ngoAktiv

HLCK-Komunikate 1-06.07.2021

Komunikatë: Zoran Vukotiq (Zoran Vukotić) dënohet për herë të dytë për krimet e luftës në Kosovë

Prishtinë, 06.07.2021

Trupi gjykues i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë (i kryesuar nga gjyqtarja Valbona Musliu Selimaj1), në datën 05 korrik të vitit 2021, të akuzuarin Zoran Vukotiq e ka shpallur fajtor për veprën penale dhunim seksual si krim lufte kundër popullatës civile dhe i ka shqiptuar dënim me burgosje prej dhjetë (10) vitesh.

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) rregullisht e ka monitoruar gjykimin kundër të akuzuarit Vukotiq. Në bazë të monitorimit të gjykimit, i cili ka qenë i mbyllur për publikun, FDHK gjen se gjykimi ka qenë i drejt, i paanshëm dhe në afat të arsyeshëm. Aktgjykimi është shpallur pas mbajtjes së shtatë (7) seancave gjyqësore, ku janë dëgjuar shtatë (7) dëshmitarë të propozuar nga prokuroria, në mesin e tyre edhe e dëmtuara D.1.

Trupi gjykues e vërtetoi se i akuzuari Zoran Vukotiq si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, me datën 22 maj të vitit 1999, tek varreza e Vushtrrisë/Vučitrn, në bashkëpunim me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kishin tubuar popullatën civile shqiptare që më parë ishin dëbuar nga vendbanimet e tyre i kishin urdhëruar të ulen në tokë dhe për derisa ishin në atë pozitë, i akuzuari me një mjet-shkop të drurit fillon ti rrahë duke i goditur në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit dhe në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të njësitit të përmendur i ndajnë meshkujt e rinj, i ngarkojnë me kamionë dhe i largojnë nga vendi në drejtim të panjohur, ndërsa gratë, fëmijët dhe pleqtë i detyrojnë të presin në kolonë para një shtëpie dykatëshe, kinse për ti pajisur me kartela të identifikimit dhe me të ardhur rendi tek e dëmtuara D.1 i akuzuari e kishte marr me forcë duke e futur në një dhomë në katin e dytë të asaj shtëpie ku kishte edhe femra të tjera të zhveshura dhe të dhunuara nga disa polic, ku në prezencën e atyre femrave dhe policëve të tjerë i akuzuari e kishte përdhunuar.

Që nga përfundimi i konfliktit të armatosur në Kosovë, nga gjyqësori vendor duke i përfshirë edhe misionet ndërkombëtare janë ngritur katër (4) aktakuza për dhunim si krime lufte kundër popullatës civile, kundër pesë (5) personave. Në tre (3) aktakuza të më hershme të pandehurit janë shpallur të pa fajshëm. Aktakuza e fundit kundër të akuzuarit Zoran Vukotiq është ngritur më 06 mars të vitit 2020 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.2

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.


1 Anëtarët e trupit gjykues, gjyqtarët: Valon Kurtaj dhe Suzana Çerkini
2 Aktakuza u ngrit nga prokurorja speciale, Drita Hajdari.