kcr

Sa më shumë gjuhë që flet, aq më shumë vlen

Nora Bezera

Kjo fjali më ndiqte gjithë jetën time si fëmijë dygjuhësh. Nuk më ka përndjekur, por përcolli ritmin tim të jetës midis dy qyteteve dhe dy popujve.

Më lejoni të prezantohem, unë jam Nora, një shqiptare që kam lindur dhe jetuar në Beograd për 27 vjet. Dhe tani, në moshën 32 vjeçare, po përpiqem të ndërtoj ura të shkatërruara midis dy popujve që jetojnë kaq afër, e megjithatë aq larg! 

Pyesni veten se si mund të bëhet kjo në një situatë çmendurie të përgjithshme kolektive në Ballkan? Epo, të filloj nga fillimi…

Kjo ishte saktësisht 13 vjet më parë. Në atë kohë, unë isha maturante në Gjimnazin e 12-të të Beogradit. Më sillej në kokë se çfarë të regjistroja, në cilin fakultet, çka tutje?? Dhe kështu, pak me nxitjen e nënës sime, dhe shumë më tepër rastësisht, vendosa të regjistroj gjuhën shqipe, madje as duke imagjinuar se pikërisht kjo zgjedhje do të ndryshonte jetën time për 180 gradë. Kush do ta kishte menduar atëherë? Regjistrova gjuhën amtare, çfarë mund të ndryshojë kaq shumë!? 

Pas 4 vitesh studimi, përmes punës, takova sot shoqen time më të mirë Jellenën! Ne u takuam në orët private të gjuhës shqipe, ngadalë filluam të bashkëpunojmë në projekte të tjera të rëndësishme dhe u afruam aq shumë saqë u bëmë shoqet më të mira! Një nga hulumtimet më të mira dhe më të mëdha që kemi kryer është mbi të drejtat gjuhësore në Kosovë. Pse jeta ime ndryshoi me Jellenën?! Jellena në fakt më mësoi të mendoja në mënyrë kritike dhe objektive, dhe akoma të ruaj ndjenjat dhe anën time subjektive përmes tregimeve që ajo i dëgjoi në Kosovë si nga serbët ashtu edhe nga shqiptarët dhe të cilat mi tregoi pas çdo udhëtimi të saj në Kosovë. Këto ishin tregime të përpjekjeve të përditshme të përbashkëta të të gjithë neve.

Pastaj në vitin 2015 u punësova në Prishtinë. Fillova të punoj si përkthyese. Duke punuar si përkthyese, takova shumë njerëz nga komunitete, fe dhe kultura të ndryshme. Pikërisht këtu jeta ime u pasurua. Kalova shumë kohë duke biseduar me pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë për zakonet dhe traditat e tyre. Dëgjova për festimet e tyre, por edhe për problemet që na mundojnë të gjithëve çdo ditë. Me ta, u mësova të dëgjoj problemet, dhimbjet, gëzimet e tyre, por edhe të më dëgjojnë. Të flasim për gjithçka në mënyrë njerëzore dhe me mirëbesim. Të ofrojmë një mundësi për ta njohur dhe kuptuar më mirë njëri-tjetrin. Kështu filluam të ndërtojmë parajsën tonë të vogël të të gjitha komuniteteve në Kosovë ku mezi prisnim çdo udhëtim së bashku. Ne në të vërtetë sa jemi të ndryshëm, në të njëjtën kohë jemi edhe të ngjashëm.

Kam përkthyer në takime me zyrtarë të lartë, por ato takime nuk janë më të vështirat. Fatet e njerëzve të zakonshëm ishin ato që thjesht më morën frymën, më zhdukën fjalët dhe “truri im i përkthimit” thjesht u shua. Të përkthesh dhimbjen, trishtimin, vuajtjen e dikujt, mallin për dikë, është pjesa më e vështirë dhe më e përgjegjshme e punës sime.

Shumë herë kam qenë në situata kur thjesht nuk mund të përktheja rrëfimet e njerëzve të zakonshëm, aq tronditëse për mua, saqë fyti më shtrëngohej dhe sytë më mbusheshin me lot. Dikujt kjo mund t’i duket si joprofesionale, por është thjesht më e fortë se unë, kur dëgjoj dhe kuptoj, bashkëndiej palën tjetër, të mbetem plotësisht e pandjeshme.

Një prej tyre është rrëfimi i një gruaje të dhunuar i lexuar nga Igballe Rogova në një nga takimet. Rrëfimi ishte aq i dhimbshëm, e aq më tepër që edhe unë jam grua. Në ato momente, thjesht nuk kisha forcë të vazhdoja të përktheja, nuk mund t’i kontrolloja emocionet që më pushtuan. Lotët më rridhnin në fytyrë, duart më dridheshin dhe falë Zotit, Igballja përfundoi me prezantim të tmerrshëm. Ishte hera e parë që unë u ballafaqova drejtpërdrejtë me fatet e tmerrshme të njerëzve në Kosovë.

Herën e dytë, nuk isha në rolin e përkthyeses dhe mirë që nuk isha. Me ftesë të Jellenës, mora pjesë në një konferencë të organizuar me temën për gazetarët e vrarë dhe të rrëmbyer gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Familjet e gazetarëve shqiptarë dhe serbë, të cilët nuk janë më, janë ulur në të njëjtin vend. Askush prej tyre nuk e di saktësisht se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre dhe ata ndajnë të njëjtën vuajtje dhe trishtim. Sytë e tyre, plot shpresë se do të mësojnë diçka për fatin e tyre pas gjithë kësaj kohe. Në fytyrat e tyre nuk ishte më e shkruar unë jam serb apo shqiptar, në fytyrat e tyre ishin vetëm sytë e trishtuar që kujtojnë bashkëshortët, baballarët, vëllezërit e tyre… Dhimbja e tyre është e njëjtë! Të dinjitetshëm me dhimbjen e tyre, kërkojnë të vërtetën e humbur prej kohësh. Kur Jellena filloi të flasë, pesha e fjalëve të saj ra mbi mua, veçanërisht pasi Jellena është “motra ime e madhe”. E pashë dhe ndjeva me çfarë dhimbje dhe dhembshurie ajo flet për atë temë. E di se sa është përpjekur që të flitet për të dyja palët në mënyrë të barabartë, dhe e di se, pavarësisht sa profesionale është në punën që bën, ishte pushtuar nga emocionet për shkak të fateve të tmerrshme dhe të vështira. Ishte e vështirë për mua, dhe e di që për te ishte edhe më e vështirë derisa fliste. Shikonte drejtë në mua dhe sado që isha në prag të të qarit, duhej të qëndroja e fortë, sepse Jellena më kërkoi. Përfundoi!

Thonë se nëse i flisni njeriut në një gjuhë që ai e kupton, i hyn në kokë. Nëse i flisni njeriut në gjuhën e tij, i shkon në zemër. Fuqimisht besoj se vlera dhe përparësia ime më e madhe është se sot mund të bisedoj me serbët dhe shqiptarët, t’i kuptojë dhe të më kuptojnë. Duke u rritur “në mes të urës” më mësoi të vëzhgoj, të dëgjoj, të përpiqem të kuptoj të gjithë ata njerëz që kalojnë nëpër të. Njohja e të dy gjuhëve më ka hapur shumë dyer, dhe më ka afruar shumë me njerëz të mirë me të cilët shoqërohem dhe bashkëpunoj.

Njohja e gjuhës na lejon të njohim pikëpamje të ndryshme, të përparojmë dhe të mos qëndrojmë në të njëjtin vend, të bëjmë miq kudo që jemi. Të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin, në momente të vështira dhe të gëzueshme.

Nora Bezera lindi më 9 tetor 1987 në Beograd. Në vitin 2017 përfundoi gjimnazin e 12-të të Beogradit dhe në të njëjtin vit u regjistrua në Fakultetin Filologjik, Universiteti i Beogradit, Departamenti i Gjuhës Shqipe. U diplomua në vitin 2011. Në të njëjtin vit u regjistrua në studime master, drejtimi: gjuhë, letërsi, kulturë në Fakultetin Filologjik, dhe i përfundoi në vitin 2012 me notë mesatare 10.00. U regjistrua në studimet e doktoratës në Fakultetin Filologjik në vitin 2012, por nuk i vazhdoi.

Si lektore në Katedrën e Albanologjisë punon që nga viti 2017. Që nga viti 2010 në mënyrë aktive merret me përkthim dhe bashkëpunon me shumë agjenci dhe OJQ në Kosovë dhe rajon.