28.04.2020
Darko Dimitrijeviq është kryeredaktori i radios “Gorazhdevac”. Jeton dhe vepron në po këtë vend me të njëjtin emër, afër Pejës. Ai tash një kohë të gjatë është gazetar, aktivist i OJQ-ve dhe aktivist për të drejtat e njeriut. Gjatë karrierës së tij, ishte kryetar i Shoqatës së Mediave të Kosovës dhe më pas kryesues i Këshillit Konsultativ për Komunitete. Ai ka fituar disa çmime prestigjioze të gazetarisë në Serbi.
Atë mëngjes Bjeshkët e Nemuna u ndriçuan me rrezet e para të diellit. Gjatë dy dekadave të fundit kam punuar në shumë programe dhe aktivitete, mirëpo kurrë nuk kam qenë aq i ngazëllyer sa atë mëngjes. Derisa po pija kafen e parë të mëngjesit dhe mendoja për ditën në vijim, bashkëshortja dhe vajzat e mia më njoftuan se ishin gati për t’u nisur. Ngazëllimi është i madh, hera e parë që shkoj me fëmijët e mi në një ekskursion ndëretnik. Këtë herë, nuk do të shkojmë me makinë, por me autobus. Fqinjët tanë arritën me fëmijë. Edhe ata donin të ishin pjesë e këtij ekskursioni të pazakontë. Në qendër të Gorazhdecit hipëm në autobus, shikimet e udhëtarëve që kanë ardhur tashmë nga fshati fqinj janë kurioze dhe të drejtuara drejt nesh. Me një tundje koke dhe buzëqeshje, përshëndetëm njëri-tjetrin…
Pas një vozitje të shkurtër, arritëm para muzeut të qytetit në Pejë, ku ende ngurojmë të njoftohemi mirëpo me grupin e përbashkët vizituam muzeun. Eksponatet në muze janë monoetnike dhe pasqyrojnë vetëm trashëgiminë e komunitetit shumicë, kështu që nuk kishte shumë tema për dialog. Në Manastirin e Deçanit na priti një kuratori cili para së gjithash, pjesës shqiptare të grupit ia tregoi historinë e manastirit, ku më pas vazhduam rrugën për në Prizren. Kemi gjithë ditën para nesh. Pasi vizituam monumentet fetare dhe historike dhe të gatshëm për të shkuar për drekë, u ulëm jo larg urës së gurit për të përmbledhur përshtypjet dhe për t’u njohur më mirë. Tashmë gjatë drekës ishim përzier dhe biseduam për tema të ndryshme. Punëtorët e arsimit, nënat me fëmijë dhe të rinjtë që ishin pjesë e këtij grupi gjetën tema të përbashkëta.
Pas një dite dinamike dhe njohjesh të reja, autobusi u nis për në Pejë. Pasagjerët nuk janë më aq të qetë. Kishte shaka dhe të qeshura në pjesën e përparme ndërsa në pjesën e pasme në mesin e të rinjve dëgjoheshin hitet e huaja.
Duke përmbledhur përshtypjet, mendimet enden përsëri në vitet e pas luftës. Atëherë kur pa një ndërmjetësim të gjatë dhe të vështirë diçka e tillë ishte pothuajse e paimagjinueshme.
Menjëherë pas luftës, Fabricio, një italian, me organizatën e tij erdhi në Gorazhdec dhe filloi të punojë për pajtimin në mes të serbëve dhe shqiptarëve. Gjatë asaj periudhe, vetëm dikush me një përvojë të gjerë mund të bënte një gjë të tillë.
Shpesh, atëherë, ne si 20-vjeçar kalonim kohën me Fabricion dhe kolegët e tij. Shoqëroheshim deri në orët e vona me pije dhe kitarë, e gjatë ditës me skarë. Shokët tanë të rinj italianë kishin grup të njëjtë edhe në qytet. Rreth dhjetë prej tyre ishin nga fshatrat përreth, por edhe nga qyteti. Në atë kohë, ishin të paktë ata që ishin të gatshëm të takonin dikë që i përkiste një kombi tjetër. Vetë rrethi, i cili menjëherë do t’i jepte epitetin e tradhtarëve, kishte një ndikim të madh.
Fabricio arriti disi të na bashkojë. Ai arriti ta dëgjojmë njëri-tjetrin. Të nisemi nga vetvetja, të përballemi me njëri tjetrin dhe me vetveten. Për disa vite me radhë, çdo javë mbajtëm grupe të fokusit për të folur për të kaluarën dhe atë që mbijetuam si fëmijë gjatë luftës. Disa nga këto “Rrëfime” nuk ishin të lehta për t’u dëgjuar, por ato na afruan. Filluam ta vlerësojmë dhe respektojmë njëri-tjetrin.
U bëmë miq të cilët së bashku shkojnë për piknik dhe kalojnë kohën së bashku. Sot, të gjithë pjesëtarët e kësaj historie janë personalitete që kanë arritur diçka, prindër… Të gjithë mësuan mësimin më të rëndësishëm në jetë “të vlerësojnë atë që kanë” dhe të respektojnë të tjerët.
Fabricio u largua nga Kosova kohë më parë. Një autobus që bartë një grup të ri njëzet vite më vonë është një nga të paktët me pasagjerë të tillë të larmishëm që janë nisur diku me një qëllim të qartë.
Duke u larguar nga Prizreni mendoja: a do të kenë fëmijët e mi, kur të rriten edhe pak, mundësinë të takojnë një “Fabricio” i cili do t’i mësojë ata të vlerësojnë atë që kanë dhe respektojnë të tjerët dhe të njihen me rrethin në të cilin jetojnë.
Optimizmi më tradhton, nuk mendoj se ata do të kenë një mundësi të tillë sepse rrethanat në këtë drejtim janë shumë më të vështira se 18 vite më parë, ku në këtë drejtim pothuajse asgjë nuk po ndodh në nivelin lokal. E gjitha është fokusuar në iniciativat e institucioneve qendrore të Kosovës dhe politikanëve, që në këtë rast kanë të vetmin motiv mbledhjen e poenave politik.
Disa qytete, të tilla si Gjakova, janë akoma edhe sot të ndaluar për serbët, si edhe fshatrat si fshati Mushtishtë nuk bëjnë përjashtim.
Përveç dialogut, pajtimi është një nga fjalët më të kushtueshme sot në Kosovë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Shpesh, me “pajtimin” tregtohet në aspektin politik. Shpesh, me “pajtimin” qeveriset dhe manipulohet. Është një fjalë që shumë shpesh është e zëshme e që duhet të jetë e pazëshme dhe ndonjëherë, larg publikut nëse temat janë të ndjeshme dhe lehtë të manipulueshme. Përmes kontekstit të pajtimit, prolongohet tema “Përballja me të kaluarën”, e cila përmendet në këto zona tona për tetë vitet e fundit. Zyra e Presidentit të Kosovës ka themeluar një Komision për të Vërtetën dhe Pajtimin, i cili përveç sa më sipër, ka filluar punën në tre drejtime. Grupet punuese për “E drejta për të vërtetën, “E drejta për drejtësi”, “E drejta për kompensim” dhe grupi punues “për të eleminuar dhe parandaluar përsëritjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut”.
Duke i përcjellë lajmet mbi këtë temë dhe duke marrë parasysh të gjitha këto fakte, secili njeri do të pyes veten nëse kjo është e mjaftueshme? A jemi gati të “paguajmë” biletën e rrugës së pajtimit? Çdo proces ndërtohet nga themeli, po ashtu edhe pajtimi, i cili duhet të ndërtohet në nivel lokal. Rruga që çon nga autoritetet qendrore në Prishtinë drejt institucioneve lokale është një rrugë në të cilën pothuajse me siguri mund të pësojmë një “aksident”, për shkak të cilit përkundër investimeve të mëdha nuk do të arrijmë në destinacionin tonë. Liderët e tanishëm politikë, për të marrë sa më shumë vota, e përdorin nacionalizmin, patriotizmin kombëtar dhe shpesh shovinizmin, gjë që është në kundërshtim të madh me procesin e pajtimit. Pajtimi përmendet në mënyrë deklarative, ndërsa në rrethet e mbyllura partiake në të shumtën e rasteve gjithçka keq e më keq thuhet për palën tjetër.
Kështu që të punosh me njerëz të thjeshtë në nivel lokal është rruga e vetme e sigurt dhe pa dhimbje për një proces të pajtimit të suksesshëm. Një ekskursion në të cilin kam marrë pjesë së fundmi me fëmijët e mi, por edhe kujtimi për kohën e kaluar e dëshmojnë qartë këtë. Themelet e një procesi të tillë nuk mund të jenë të shëndosha nëse ato ndërtohen në nivel qendror. Institucionet qendrore duhet të jenë një ndërmjetës dhe promovues i procesit në mes të komuniteteve lokale. Fokus grupet duhet të organizohen në të gjitha sferat e shoqërisë siç janë liderët lokalë, viktimat e luftës, bujqit, mësimdhënësit dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor…
Për këtë proces është e nevojshme të ndërtohen themelet në nivel lokal, midis komuniteteve. Procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës, me grupe të fokusit ku marrin pjesë profile të ndryshme të shoqërisë. Ndërmjetësit duhet të jenë njerëz që kanë përvojë dhe njohuri të gjerë në këtë fushë. Pa këtë model dhe drejtimin e procesit të pajtimit, për të cilin aktualisht nuk ka gatishmëri, ne do të mbetemi për një kohë të gjatë skllevër të pajtimit deklarativ dhe skllevër të politikës.
Darko Dimitrijeviq
Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e autorit, dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.